Kosova

Data e re e ndeshjes me Izraelin, telashe e madhe për grumbullimin e futbollistëve të Kosovës

UEFA tashmë edhe zyrtarisht e ka caktuar datën e ndeshjes ndërmjet Kosovës e Izraelit. Ky takim që ishte paraparë të luhet me 15 tetor u shty për shkak të luftës në Izraeli.

Kombëtarja izraelite kishte kërkuar nga UEFA shtyrjen e takimeve me Zvicrën e Kosovën, pasi ishte e pamundshme të grumbullohet skuadra për shkak të situatës, shkruan Ballkani.info.

Këtë kërkesë, UEFA e pranoi duke vendosur datën e re që është 12 nëntori, por kjo datë duket se do të jetë bukur problem për Kosovën e pak më pak për Izraelin.

Burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës i kanë thënë Ballkanit.info, se duhet një komunikim me UEFA-në për grumbullimin e futbollistëve pasi në atë kohë lojtarët janë të angazhuar nëpër klube.

Siç dihet Kosova përbëhet me futbollistë që 90 përqind luajnë jashtë Kosovës, për dallim nga Izraeli që shumicën e futbollistëve i ka brenda kampionatit, dhe klubet sigurisht se nuk do t’i lirojnë shumë lehtë.

Të kujtojmë se në nëntor Kosova, përveç ndeshjes me Izraelin do t’i luajë edhe dy takime tjera me Zvicrën dhe me Bjellorusinë që janë të fundit në këtë kampanjë kualifikuese për Kampionatin Evropian. /Ballkani.info