DASH

DASH reagon për takimin mes Daçiqit dhe Lavrovit: Të mos i ofrohet Putinit një platformë për të nxitur agresionin

Vizita e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq në Moskë dhe takimit me homologun rus, Sergei Lavrov, ka nxitur reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ne nuk besojmë se ndonjë vend duhet t’i ofrojë Putinit një platformë për të promovuar ose justifikuar luftën e vazhdueshme kundër Ukrainës”, tha për Evropën e Lirë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ivica Daçiq ka udhëtuar për në Moskë me ftesë të Lavrovit, për të ndjekur ndeshjen miqësore ndërmjet ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Rusisë.

Serbia është kombëtarja e parë evropiane që luan në Rusi që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Beogradi zyrtar nuk ka respektuar sanksionet e Bashkimit Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia dërgoi trupa në Ukrainë dhe autoritetet në Serbi nuk i kanë ndërprerë kontaktet me Kremlinin.

Shefi aktual i diplomacisë në Serbi, Ivica Daçiq, mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk do t’i vendos sanksione Rusisë sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.

Pas takimit, ai në një deklaratë për gazetarët serbë tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është një “interes jetik shtetëror” për Serbinë.

Daçiq ka falënderuar Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për integritetin territorial dhe sovranitetin dhe çështjen e Kosovës.

“Për ne është me rëndësi jetike të dimë se kemi një zë të sigurt në Këshillin e Sigurimit”, tha Daçiq në një deklaratë për gazetarët nga Serbia.

Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë dhe Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por po zhvillon një dialog me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e BE-së, i cili duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha para takimit se Rusia është e interesuar të “parandalojë krizat e reja” në Ballkan.

Siç shtohet, Lavrov i ka thënë Daçiqit se dëshiron të dëgjojë prej tij një vlerësim për situatën në Ballkan, të cilin e ka vlerësuar si “serioze”.

VIDEO BONUS: