Darko Tasiq dënohet me 22 vjet burgim për krime lufte në Krushë të Vogël

Me 22 vjet burgim është dënuar Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur Tasiqin fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Tasiq është shpallur fajtor edhe për akuzën se mes 15-26 marsit 1999 në Kurshë të Vogël si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Gjykimi i Tasiqit ka nisur para dy vitesh dhe që nga ajo kohë është në paraburigm. Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje.