Dardanët kërkojnë fitoren e radhës në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Maltën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:45 në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.

Bernard Challandes dëshiron që ta vazhdojë ecurinë e shkëlqyer të skuadrës së tij, ku në pesë ndeshjet e fundit i ka katër e fitore dhe vetëm një barazim, ndërsa Malta në po kaq ndeshje, i ka dy barazime dhe tri humbje, shkruan Gazeta Express.

Dardanët momentalisht janë në krye të tabelës së Ligës D, grupi 3, ku kanë një fitore dhe një barazim, duke i grumbulluar katër pikë, një më shumë se Ishujt Faroe, të cilët i mposhti Kosova në ndeshjen e kaluar në Prishtinë 2-0 më 10 shtator.

Në konferencën për media, trajneri zviceran i Kosovës ka thënë: “Do të jetë shumë e rëndësishme për ne që të ndërtojmë lojën që nga mbrojtja. Duhet të kemi durim që të presim dhe të luajmë në krah ose me pasime vertikale”.

“Malta është skuadre kompakte që mbrohet shumë, dhe është e qartë se kualiteti i lojës tonë me topin do të jetë shumë i rëndësishëm. Por në fund, ne luajmë në shtëpi dhe duam të fitojmë dhe kemi lojtarë për të luajtur lojë sulmuese”, ka thënë Challandes.

Në rast të fitores, Kosova do ta siguronte më shumë vendin e parë në tabelë.