Dardanët

“Dardanët” do t’i mbajnë sot dy seanca stërvitore

Kombëtarja e Kosovës do të ushtrojë sot dy herë, për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e tetorit.

“Dardanët” do të ushtrojnë nga ora 11:30 në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa pasdite, nga ora 17:00 është në program një tjetër stërvitje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Paraprakisht, një pjesë e ekipit ka ushtruar lehtë dje pasdite, ndërsa sot pritet të kompletohet ekipi.

Selektori Primoz Gliha nuk do të mundë të llogarisë në të lënduarit Ismajl Beka, Shkëlqim Vladi e Leart Paqarada, ndërsa është në dyshim prezenca e Zhegrovës, po ashtu i lënduar së fundmi, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndërkaq, është ftuar dje Mërgim Vojvoda, i cili është riaftësuar nga lëndimi.

Kosova do të luajë ushtrojë sot dy herë, ndërsa nesër kontingjenti i saj do ta marrë rrugën drejt Andorrës, ku të enjten do të përballet me Kombëtaren vendëse.

Më pas, “Dardanët” do të rikthehen të premten në atdhe, por me gjasë eksperienca e tyre në tetor do të marrë fund me duelin ndaj Andorrës pasi ndeshja me Izraelin sipas të gjitha gjasave do të shtyhet, mungon veç vendimi zyrtar nga UEFA.