Ylli i Prishtinës dhe Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha, nuk është mjaftuar me trofeun e Kupës së Kosovës dhe çmimin për lojtarin më të vlefshëm të kësaj gare (MVP). Ai tani synon të kualifikohet në çerekfinale të Europe Cup.
Klubi i basketbollit nga kryeqyteti i Kosovës do të ballafaqohet me Pallacanestro Varese në fazën e 16 më të mirëve në Kupën e Evropës të FIBA-s.
Prishtina e siguroi kualifikimin në play-off në ndeshjen e fundit në Grupin I, duke e mposhtur Pinar Karsiyakan 82:78 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Ndërsa, të dielën, Prishtina e mposhti Rahovecin në “Mizahir Isma” për ta fituar Kupën e Kosovës. Ata dominuan gjatë gjithë takimit në sallën e sporteve, duke triumfuar me rezultatin 96:60.
“Fitues të Kupës së Kosovës dhe MVP 2019. Ju presim nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, nga ora 20:30, në ndeshjen historike kundër ekipit italian, Varese…!”, shkruan Berisha në llogarinë e tij në Facebook.
Në fazën e 16 më të mirëve do të përfaqësohen 12 shtete, me Prishtinën që bëhet ekipi i parë që e arrin play-offin dhe e përfaqëson Kosovën në një garë evropiane në basketboll.
Prishtina do t’i zhvillojë dy ndeshje ndaj klubit italian, një si vendase dhe një si mysafire, më 6 dhe 13 mars, në përpjekje për ta siguruar çerekfinalen.







