Mbrojtësi i Paris Saint Germain, Dani Alves përmes një postimi në Instagram ka shprehur nervozizmin e tij rreth vendimit që finalja e Copa Libertadores, River Plate-Boca Juniors të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu”, në Madrid.

Konfederata e futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL) vendosi që ndeshja e dytë finale mes Riverit dhe Bocas të zhvillohej në Europë konkretisht në Madrid për shkak të sulmit ndaj autobusit të futbollistëve dhe stafit të Boca Juniorsit nga disa tifozë të River Plates.

Futbollisti brazilian, Dani Alves e ka ngritur zërin ndaj këtij vendimi duke e cilësuar si të turpshëm.

“Sipas meje të luhet ndeshja River-Boca jashtë Amerikës së Jugut është turpi më i madh që kam parë si futbollist, si dikush që vjen nga Amerika e Jugut dhe si dikush që e konsideron këtë sport që jetohet me ndjenja, pasion dhe mbi të gjitha me respekt. Njerëzit që nuk kanë të bëjnë me këto gjëra nuk duhet të paguajnë për shkak të disa idiotëve. Ndoshta kjo ishte mundësia e vetme ta shikojnë finalen Boca-River por tani iu pamundësohet sepse do të luhet në Europë. E shoh obligim të shpreh mendimin tim si një amerikano-jugor dhe një i dashuruar pas futbollit. Shpresoj se nuk do të luhet në Madrid në shenjë respekti për të gjithë ata njerëz që nuk janë përfshirë në incidentet që ndodhën”, deklaroi Dani Alves.

Ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin e Bocas, “La Bombonera”, pati përfunduar në barazim 2-2, gjersa ballafaqimi i dytë dhe vendimtar është caktuar të luhet me 9 dhjetor me fillim prej orës 20:30.