“Danas” e karikaturon Vuçiqin me targa të Millosheviqit, “çmendet” Petkoviqi dhe oborrtarët e tij

Drejtori i i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka sulmuar gazetën serbe “Danas” për karikaturën me të cilën e ka pasqyruar problemin me targat serbe në Kosovë.

“Mediat e Kurtit në Prishtinë do ta kishin zili një ballinë kaq të turpshme! Përderisa Aleksandar Vuçiq lufton për të mbrojtur popullin tonë, dhe serbët në Kosovë shqetësohen se çfarë do të sjellë mëngjesi, targat  për “Danas” janë objekt talljeje! Nuk është për t’u habitur nga media, politika editoriale e të cilave është në linjë me Kurtin”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Ai po ashtu ka habitur sesi redaktorët e “Danas” nuk kanë menduar t’i vendosin targat e Kurtit në ballinë.

“Në ditën kur Prishtina kërkon të heqë targat KM, “Danas” shan serbët në Kosovë, për të cilët ato targa nënkuptojnë liri! Aleksandar Vuçiq i mban në zemër serbët në Kosovë ndërsa “Danas” e pamë se ku”, përfundoi Petkoviq.

Në karikaturën e “Danasit” është paraqitur Vuçiqi me targat e kohës së Millosheviqit në të pasmet e tij, targa këto që më nuk do të lejohen në Kosovë pas 21 nëntorit, respektivisht 21 prillit të vitit të ardhshëm.