Dan Evans e eliminon Gjokoviqin nga Mastersi i Monte Carlos

Britaniku Dan Evans e ka shënuar fitoren më të madhe në karrierën e tij.

Të enjten, Evans shkaktoi edhe befasinë më të madhe në Mastersin e Monte Carlos kur me dy sete të njëpasnjëshme, mposhti ish-kampionin dhe numrin një në tenis, Novak Gjokoviq.

Numri 33 i botës fitoi me rezultatin 6:4, 7:5 në rundin e tretë të garës. Ishte fitorja më e madhe në karrierën e tij, dhe ia shkaktoi serbit disfatën e parë të vitit 2021.

Në rrethin tjetër të garës, Evans do të ballafaqohet me belgun David Goffin.

Në çerekfinale të kësaj gare ka kaluar edhe Rafael Nadal.

Nadali mposhti Grigor Dimitrovin me rezultatin 2:0 në sete, 6:1, 6:1, në meçin që zgjati vetëm 55 minuta.

Kundër Dimitrovit, Nadali ka 14 fitore dhe vetëm një herë ka pësuar disfatë.