Dje u raportua për përleshje fizike para objektit të Komunës së Prishtinës. Fillimisht u tha se u sulmua me shishe Fehmi Kupina, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe kandidat për kryetar të kryeqytetit me iniciativën qytetare “Lidhja për Prishtinën”.
U tha po ashtu se Kupina u sulmua nga Sami Salihu, asambleist i LDK-së. Megjithatë në pamjet e publikuara sot ngjarja duket krejt ndryshe. Në pamje shihet se si njerëzit e Kupinës sulmojnë brutalisht Salihun. Aty shihet edhe vëllai i Gent Begollit, tash pjesë iniciativës së Kupinës dhe një person tjetër që e godet Salihun.
Vetë Salihu dje kishte reaguar pas incidentit. “Reagim! Nuk kam sulmuar askënd me shishe. Sot u sulmova papritmas dhe reagova vetëm për t’u mbrojtur. Kamerat e vendit të ngjarjes do ta tregojnë të vërtetën dhe unë do të bashkëpunoj plotësisht me organet hetimore. Dhuna, sidomos ajo pas shpine, është e papranueshme”, kishte shkruar Salihu.







