Përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Dalic e ka lidhur humbjen ndaj Anglisë dhe rënien në Ligën B të Nations League, me lodhjen e futbollistëve të tij.

Kroatët u ndodhën në avantazh të parët në takimin që u zhvillua në “Wembley” por anglezët u kundëpërgjigjën me dy gola të shpejtë në minutat e fundit teksa u hakmorrën ndaj ballkanasve për eliminimim në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror duke i dërguar në një ligë më poshtë.

Në rradhët e Kroacisë mungoi ylli i Barcelonës, Ivan Rakitic, derisa për shkaqe të lëndimeve u zëvendësuan Sime Vrsaljko dhe Ante Rebic.

“Së pari më duhet ta urojë Anglinë për fitoren e merituar dhe arritjen e Final Fuor-it. Ishim me fat që e mbyllëm pjesën e parë 0-0, ndërsa pjesa e dytë ishte më e mirë. I kishim disa raste pasi kaluam në epërsi por pësuam nga dy ndërprerje. Nuk jam i mërzitur, jam krenar. Kondicioni ishte problemi jonë më i madh ashtu siç u pa te Vrsaljko dhe Rebic, ne nuk kemi shumë alternativa teksa ata futën në lojë futbollistë që vlejnë 100 milionë euro”, deklaroi Dalic.

Ish trajneri i Dinamos së Tiranës shtoi se është krenar me arritjet e Kroacisë gjatë këtij viti, teksa arritën të shpalleshin nënkampion të Botës ndërsa renditen të dytit në klasifikimin e FIFA-s.