Spanja e deklasoi 6-0 Kroacinë në ndeshjen e parë të Nations League në muajin shtator por përzgjedhësi Zlatko Dalic dhe mesfushori Luka Modric nuk mendojnë për të iu revanshuar iberikëve në sfidën që zhvillohet sonte në Zagreb.
Nënkampionët e Botës kanë grumbulluar vetëm 1 pikë nga dy ndeshjet e grupit në Nations League, ndërsa për të përfunduar të parët iu nevojiten fitoret përballë Spanjës dhe Anglisë në ndeshjet që zhvillohen këtë javë.
Dalic ka preferuar të ndalet vetëm te ndeshja e sontme duke e lënë pas humbjen e thellë të para dy muajve ndaj “Furia Rojas”.
“Në Elche, Kroacia luajti shumë mirë në 20 minutat e para por dështoi t’i konkretizonte rastet e krijuara. Tani ne nuk kërkojmë të iu revanshohemi atyre por synojmë një fitore të rëndësishme. Nëse fitojmë mund ta vendosim se kush do të jetë kryesues i grupit në ndeshjen ndaj Anglisë në “Wembley”, dhe çfarë përballje do të ishte, e njejtë me gjysmëfinalen e Kupës së Botës”, deklaroi Dalic.
Të njejtin mendim me trajnerin e ndan edhe ylli i Real Madridit, Luka Modric i cili shtoi se përkrahja e tifozëve do të iu jep një shtysë shtesë futbollistëve kroat.
“Nuk mendojmë për revanshim, kjo është një ndeshje totalisht e ndryshme përballë tifozëve tanë. Duhet të kemi durim dhe t’i qëndrojmë besnik stilit tonë deri në fund. Në ndeshjen e shtatorit ne ishim të zbrazur në aspektin fizik dhe psikologjik dhe kjo është normale në futboll, megjithatë tani duhet të tregojmë se jemi në formë të mirë dhe unë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”, theksoi Modric.
Ndeshja Kroaci-Spanjë zhvillohet sonte me fillim prej orës 20:45.







