Blendi Daja

Daja: U ndjen mungesat dhe lodhja e lojtarëve

Te skuadra e Ballkanit kanë vlerësuar se mungesat e shumta, por edhe lodhja nga orari i ngjeshur që e kanë pasur, ishin ndër faktorët kryesorë për humbjen nga Drita.

Ballkani, të mërkurën u mposht në udhëtim nga Drita 2:1, në ndeshjen e mbetur të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në futboll. Drita tash është pesë pikë larg vendit të parë që mbahet nga Ballkani, që do ta zhvillojë edhe ndeshjen e fundit të mbetur ndaj Gjilanit në fundjavë.

Ndihmëstrajneri i Ballkanit, Gled Daja ka përgëzuar Dritën për fitoren.

“E dinim se na priste një ndeshje e vështirë sidomos ndaj Dritës që ka një ekip shumë të fortë. Kemi pasur mungesa të shumta dhe ato ndikuan shumë në lojën. Përveç mungesave kishim edhe ngarkesa të madhe për shkak të orarit të ngjeshur. Këta janë faktor që ndikuan në humbjen tonë por krahas kësaj, Drita e meritoi fitoren dhe i përgëzoj. Nëse do të kishim luajtur në një stadium më të mirë, akoma do të ishte lojë me e bukur dhe do të kishte më shumë tifoz. Ne jemi Ballkani që e kemi bërë historinë në Kosovë, në çdo ndeshje futemi për fitore edhe sot e donim fitoren që nuk e arritëm dot”, ka thënë Blendi Daja.

Ballkani në këtë ndeshje nuk e pati në stol trajnerin Ilir Daja për shkak të suspendimit.

Deri në fund të stinorit vjeshtor, Ballkani e ka edhe një ndeshje për ta zhvilluar. Të shtunën, do të jetë mysafir i skuadrës së Gjilanit, ndeshje kjo e mbetur e xhiros së 13-të.