Daja: Ndeshja ndaj Shkupit e vështirë, por ne jemi gati për të ecur tutje

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka pranuar se ndeshja e kthimit kundër Shkupit, do të jetë më e vështirë se e para.

Megjithatë, ai ka thënë se ekipi i tij duhet të angazhohet maksimalisht edhe për 90-të minuta, në mënyrë që ta vazhdojë ëndrrën, kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Ballkani e ka fituar ndeshjen e parë të plejofit 2:1 javën e shkuar në Shkup, ndërsa dueli i kthimit luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës prej orës 20:00.

“Mendojmë që nesër do të kemi ndeshje të vështirë. E vështirë për lojtarët sepse stafi nuk ka shumë vështirësi, vetëm duhet të ulë dozën e emocioneve, ta menaxhoj stresin që lojtarët të japin më të mirën e mundshme”, është shprehur Daja në konferencën për shtyp të mërkurën.

I pyetur për ekipin favorit, Daja u shpreh se skuadrat janë pothuajse të barabarta.

“Nuk ka favorit direkt, dy skuadra pothuajse të barabarta. Kemi avantazh sepse fituam ndeshjen e parë, shpresojmë të na mbështesin tifozët. Duhet të djersitemi nëse mendojmë ti shtyjmë ëndrrat përpara. Nuk e kemi parashikuar që në start të arrijmë këtu. Gjithë kontingjenti është në dispozicion. Një lojtar të shohim si e ka gjendjen, ka qenë i diferencuar. Nuk dua ta publikoj dhe nuk dua të jap elemente shtesë. Është një nga mbrojtësit tanë në dyshim”, deklaroi Daja.

Në ndeshjen e kthimit, Daja ka bërë të ditur se në portë do të startojë Stivi Frashëri, pasi Damir Lulanoviq është i lënduar.