“Daily Mail” me shkrim të veçantë për Kosovën, Hadërgjonaj rrëfen përjetimin e luftës para ndeshjes me Anglinë

I lindur dhe rritur në Zvicër, Florent Hadërgjonaj i Huddersfieldit pranoi të luajë për Kosovën më herët gjatë vitit. Duke pas parasysh historinë e ekipit më të ri të futbollit, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mbrojtësin 25-vjeçar.

Kështu nis një artikull për Kosovën dhe Hadërgjonaj, “Daily Mail”, që ka biseduar me kosovarin para ndeshjes të së martës me Anglinë, në kualifikueset për “Euro 2020”. “Kur lojtarët tanë ulen dhe bisedojnë, nuk është veç për futbollin”, ka thënë Hadërgjonaj.

“Të gjithë e kanë rrëfimin e tyre. Ata që s’ishin në Kosovë gjatë luftës i dëgjojnë ata që ishin. Ne dëgjojmë nga bashkëlojtarët tanë teksa flasin për ecjet gjatë maleve për të ikur në kohën sa ishin fëmijë. Pa ushqim, duke ecur për dy apo tre ditë, me të shtënat përreth. Është emocionuese sepse e kupton se edhe familja, xhaxhallarët, kushërinjtë, mund të ishin përballur me të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

“Daily Mail” vazhdon më tej duke shkruar për Kosovën si pjesë e ish-Jugosllavisë dhe ndarjen me luftë, që çoi në vrasjen e rreth 14 mijë personave e shpërnguljen e shumicës së popullatës. Tregohet po ashtu edhe historiku i pasluftës, duke theksuar shpalljen e pavarësisë më 2008 e pranimin në futbollin ndërkombëtar më 2016.

Futbolli po shihet si rrugë përpara për popullin e ri. Hadërgjonaj, që debutoi për “Brazilin e Ballkanit” ndaj Bullgarisë në qershor, e di përgjegjësinë që kanë.

“Ekipi i futbollit tregon fytyrën e mirë të shtetit tonë. Lojtarët tanë janë të lindur në shtete të ndryshme, por janë bërë bashkë për të krijuar gjëra. Dashuria për futbollin është e çmendur. Kemi mposhtur Bullgarinë në Sofje dhe qindra fansa ishin në aeroport deri në tre të natës për të na përshëndetur. Nëse dalim për të ngrënë, nuk na lënë të paguajmë. Ushtrimet janë sikur ndeja argëtimi. Njerëzit shikojnë dhe lëshojnë muzikë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të ishte po që se do kualifikoheshim për Euro 2020”, ka deklaruar më tej Hadërgjonaj, që të shtunën luajti në krahun e majtë në fitoren 2 me 1 ndaj Çekisë.

Një arritje e tillë s’është imagjinare. Kosova jo vetëm që ka pasion, por është e mirë. Ekipi aktual përbëhet nga lojtarë prej 14 ligash, përfshirë Italinë, Rusinë, Gjermaninë e katër nga “Championshipi” anglez, vazhdon tutje “Daily Mail”.

Aty po ashtu theksohet se edhe nëse Kosova nuk arrin në top-dy të tabelës në Grupin A kualifikues, ekziston akoma shansi për kualifikim në “Euro 2020” përmes play-offit në Ligën e Kombeve e ku do të përballen në gjysmëfinale me Maqedoninë. Ceket se në atë kohë gati do të jenë Arbër Zeneli e Milot Rashica që po mungojnë për shkak të lëndimeve.

Historia e Hadërgjonajt është e veçantë. Prindërit e tij lanë Kosovën për një jetë të re në Zvicër, para se të nisnin telashet. Ai ishte veç pesë vjeç kur shpërtheu lufta. “Kam sigurisht informacione, por ishte më vonë kur e kuptova në të vërtetë se çka kishte ndodhur”, ka shpjeguar ai.

“Ishte vështirë për prindërit e mi. Pjesa tjetër e familjes sonë po luftonte për jetët e tyre dhe nuk mund të bënim asgjë. Babai im kishte kushërinjtë që ishin në ushtri dhe u vranë. Kur kthehem tash në Kosovë, vizitoj familjet, gratë pa burra e fëmijët pa etërit. Ndihemi me fat që kam qenë në Zvicër. Më dha gjithçka dhe më mundësoi të bëhem futbollist”, ka shtuar ai.

Kur u formua ekipi përfaqësues i Kosovës, yjet botërore si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka mbetën në ekipin kombëtar të Zvicrës dhe nuk ndërruan ambient. Hadërgjonaj ishte po ashtu pjesë e Zvicrës, U-21, por vendosi të bashkohej me bashkëlojtarët Bersant Celina, Aro Muriq e Atdhe Nuhiu në Kosovë. Të gjithë këta janë pjesë e “Championshipit”, rangut të dytë të futbollit në Angli.

“Ishte vështirë të vendosja. Zvicra u dha prindërve të mi jetë më të mirë, por edhe unë kisha familjen që ka luftuar për një shtet që po rritet. Në fund, ishte se si ndihesha brenda. Kam folur sinqerisht me Federatën e Zvicrës dhe jam falënderues që më kanë mirëkuptuar dhe nuk e kanë bërë të vështirë për mua”, ka thënë tutje Hadërgjonaj.

30-vjeçari Nuhiu, pjesë e Sheffield Wednesdayt, bashkëlojtar i Hadërgjonajt te Kosova, kishte udhëtuar si fëmijë nga Kosova drejt Austrisë. Ai e mban mend traumën e viteve 90’-a, me thirrjet telefonike nga vendi i ri te të afërmit që po iknin nga bombat në vendlindje.

Loja ndaj Anglisë për herë të parë është thjeshtë simbolike se deri ku ka arritur Kosova, një rritje e reflektuar në ngjitjen në vendin e 120-të të ranglistës së FIFA-s. Pas dështimit me Huddersfieldin sezonin e shkuar në Premierligë, Hadërgjonajt eksperiencën e fitoreve e shijoi me Kosovën më 2019.

Mbrojtësi i krahut ka përvojë më shumë se bashkëlotjarët me përballjen me lojtarët anglezë. Harry Kane, Marcus Rashford e Raheem Sterling nuk kanë shënuar asnjëherë ndaj tij nga loja e hapur, edhe pse thotë se kjo s’duhet t’i bëjë të ndihen rehat bashkëlojtarët.

“Lojtarët tjerë më kanë pyetur se si janë futbollistët anglezë. U kam thënë ‘Djem shikoni videot, nuk mund t’u ndihmoj’”, ka thënë duke qeshur Hadërgjonaj. “Anglia ka lojtarë të mrekullueshëm. Duken të rrezikshëm në TV, por duhet t’u them, është edhe më vështirë në fushë”.

“Kosovarët do të vijnë nga çdo vend për këtë ndeshje. E donim Wembleyn para Southamptonit, por ndoshta një stadium më i vogël do të jetë më mirë për ne, 30 mijë në vend të 80 mijëve. Kam luajtur në St Mary’s më herët dhe kam barazuar 1 me 1. Do ta pranoja këtë rezultat tani”, ka përfunduar ai.

Anglia e Kosova i prijnë Grupit A. Anglia pas tri ndeshjeve ka nëntë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me një pikë më pak, por me një ndeshje më shumë. Çekia është e treta me gjashtë pikë, ndërsa grupin e mbyllin Mali i Zi e Bullgaria me nga dy pikë.

loading…