Ministri i Jashtëm

Daçiq kundërshton Grenellin, nuk e ndalim fushatën e çnjohjeve edhe nëse hiqet taksa

Emisari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka qëndruar për një vizitë dy ditore në Prishtinë. Mbrëmjen e të mërkurës ka takuar në një darkë pune presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ndërkohë të enjten ka takuar krerët e LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga këto vizita Grenell ka përsëritur kërkesën e Washingtonit që Kosova të heq taksën, ndërkohë i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalë kampanjën kundër pavarësisë së Kosovës.

Një kërkesë të tillë ndërkohë e ka kundërshtuar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se ndalja e një fushate të tillë ndaj pavarësisë së Kosovës nuk mund të kompensohet vetëm me heqjen të taksës.

“Ndalja e fushatës për heqjen e njohjeve nuk mund të kompensohet me heqjen e taksës”, ka thënë Daçiq.

Tutje Daçiq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, ka rikujtuar se pozicioni i Beogradit mbetet i njëjtë, dialogu dduhet të vazhdojë, por para nisjes së dialogut duhet të hiqet taksa.

Këto deklarata të Daçiq vijnë një ditë përpara vizitës së Richard Grenell në Beograd. Vetë Daçiq ka thënë se bisedimet me emisarin e Trump nuk do të jenë të lehta.