Daçiq kundër SHBA-së: Fushata e çnjohjeve do të vazhdojë, pavarësisht çka mendon Chollet

Se a mendon dikush se është humbje kohe ose jo, Serbia do të vazhdojë me fushatën ndërkombëtare për të siguruar çnjohje të Kosovës, ka thënë kryediplomati  serb, Ivica Daçiq.

Kjo pasi Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë për N1, tha se fushata serbe për çnjohje “është humbje kohe dhe energjie”.

Sa i përket vlerësimit të Derek Chollet, Daçiq tha se “të gjithë kanë mendimin e tyre” derisa Serbia do të vazhdojë aktivitetin e saj në çnjohje të Kosovës.

“Me këtë po duan të thonë se nuk janë të interesuar se sa vende në botë në e njohin Kosovës dhe se nuk i pranojnë veprimet tona”, tha ministri serb i jashtëm.

“Po ta njihnin Kosovën 97 shtete, që i bie shumica e OKB-së, ne vazhdimisht do ta theksonim atë. Ne do ta vazhdojmë fushatën për çnjohje pavarësisht se dikush mendon se është humbje kohe, nëse është humbje kohe edhe ata humbën kohë duke bindur shtetet e tjera që ta njohin Kosovën”, ka thënë mes tjerash ai, siç e citoi televizioni publik i Vojvodinës, përcjell Insajderi.

Bisedime për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, po bëhen në prapaskena sepse nuk ka marrëveshje afër, “por është arritur një tentativë”, tha ai.

“Të gjithë shprehin kundërshtinë e tyre, ne do të ulemi në tryezë dhe të shprehim pikëpamjet tona, dhe të pranojmë vetëm atë që përkon me interesin tonë kombëtar”.

Daçiq tha se negociatat po bëhen asisoji që “nuk po kërkohet kompromisi” por vetëm që të detyrohet Beogradi ta njohë Kosovën.

“Zgjidhjet politike të cilat do të mund të çonin në kompromis nuk ndiqen, sepse qefin ia bëjnë Prishtinës, në anën tjetër, nëse mund ta bëjnë pa pëlqimin e Serbisë, pse po vinë në Beograd, nëse mund ta votojnë në OKB, le ta votojnë, por pasi që nuk munden, duhet të bëjnë marrëveshje me Beogradin”, tha kryediplomati serb.

Pesëshes diplomatike e cila udhëton sot për në Prishtinë për të vazhduar më pas në Beograd, Daçiq tha se do tua përsërisin “vijat e kuqe” të Serbisë në raport me çfarëdo marrëveshje.

Siç i artikulon ai, këto vija të kuqe janë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, nuk do ta lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe sigurinë fizike të pakicës serbe në Kosovë.

Çfarë tha Chollet që acaroi Daçiqin?

“Më duhet të jem i qartë, Asociacioni nuk do të jetë një aranzhim që do t’i ngjasojë Republika Srpska-s […] Përpjekjet e Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës janë humbje kohe dhe energjie […] ShBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve në drejtim të njohjes së ndërsjellë”.

Këto ishin mesazhet kyçe që Derek Chollet, Këshilltar i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Joe Biden, i dha për median serbe N1, ku foli për temat e nxehta mes Kosovës dhe Serbisë të cilat duhet të shuhen përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse – me njohje në qendër – ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zyrtar i lartë i DASh’së nuk iu shmang frazimit se epilogu i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë në “njohje të ndërsjellë”.

Sa i përket planit evropian – ndryshe të njohur edhe si plani franko-gjerman – Chollet tha se është “bazë e negociatave” por edhe sa përgjatë kohës “është fleksibile”.

Se a shpie ky plan drejt anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – siç pandehin autoritetet serbe – dhe se si do të mund të arrihej kjo në dritën e vetos ruse dhe kineze, Chollet e kupton që është e vështirë. Por, thotë ai, “ShBA do të vazhdojë së avokuari atë”.

Në lidhje me fushatën ndërkombëtare serbe për çnjohjen e Kosovës, diplomati amerikan pati një përgjigje edhe më të prerë. “Është humbje kohe dhe energjie”, tha ai.