Daçiq i entuziasmuar: Uashingtoni e ka ndryshuar qasjen rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës

“Takimi i i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo ka treguar se Uashingtoni e ka ndryshuar qasjen rreth zgjidhje se çështjes së Kosovës”.

Kështu ka deklaruar shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq dhe ka shtuar se takimi ka treguar se edhe SHBA-të pajtohen për zgjidhje kompromisi duke i marrë për bazë edhe interesat e Serbisë, transmeton Ballkani.info.

“Nuk duhet të mendohet se SHBA-ja e kanë ndryshuar qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por tash ekziston dallim i madh ndërmjet administratës së Trumpit dhe njerëzve që e përbëjnë rrethin e tij më të ngushtë – këshilltarit për siguri kombëtare, John Bolton, sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, nënpresidentit, Mike Pence, dhe atij vet, të cilët vlerësojnë se është e domosdoshme që edhe më tej të bisedohet dhe të gjendet kompromisi”, ka thënë Daçiq për mediat serbe.

Duke komentuar takimin e dy zyrtarëve dhe mesazhet që mbrëmë kanë ardhur nga Nju Jorku, ai vlerëson se Uashingtoni e përfill “qëndrimin e Serbisë se çështje e Kosovës nuk është zgjidhur”.

“Kjo është gjë e madhe dhe ndryshim i madh në raport me pohimet e deritashme që vinin nga administrata e dikurshme amerikane”, ka vlerësuar Daçiq. /Ballkani.info/

loading…