Ministri i Jashtëm serb

Daçiq bëhet edhe më shumë qesharak, thotë se Serbia s’ka lidhje me grupin terrorist, përmend UÇK-në dhe Hashim Thaçin

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot në Radiotelevizionin Vojvodina se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me grupin e armatosur që hyri në Kosovë dhe vrau policin Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë.

Ai thotë se nuk e di se kush e ka organizuar atë grup, por ka treguar se “kushdo që i organizon në luftën për lirinë e popullit serb, duhet të ketë parasysh efektet”, transmeton Ballkani.info.

Daçiq tha se konflikti në Banjskë, ku mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë, “nuk është në interesin e Beogradit”, dhe se zgjidhja e situatës është de-përshkallëzimi, prania më e madhe e KFOR-i në veri të Kosovës dhe zgjedhjet e reja.

Sipas tij, policia e Kosovës nuk ka “të drejtë” të jetë në veri të Kosovës, sepse serbët atje dhe Serbia nuk e njohin Kosovën si shtet.

I pyetur për pretendimet e Prishtinës se Beogradi e ka organizuar dhe armatos drejtpërdrejt atë grup, ai ka thënë se nuk e di se kush e ka organizuar atë, por se “koncepti zyrtar” i Prishtinës është që ta fajësojë Beogradin për gjithçka.

I pyetur nëse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka udhëhequr një grup të armatosur në Banjska, Daçiq tha se nuk mund ta konfirmojë.

Ai po ashtu tha se nuk e di nëse Radoiçiq po trajtohej në Beograd dhe nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së gazetares për videon në të cilën pretendohet se shfaqet Radoiçiqi dhe pyetjes nëse ai incizim është lidhje e drejtpërdrejtë e grupit të armatosur me Beogradin, duke qenë se nënkryetari i Listës Serbe u shfaq në shoqërinë e përfaqësuesve të qeverisë serbe.

Më pas Daçiq pyeti se pse “askush nuk i lejon serbët nga Kosova të protestojnë dhe po flasim për serbët autoktonë që kanë të drejtë legjitime të shprehin mendimin dhe pakënaqësinë e tyre”, përcjellë Ballkani.info.

“Shqiptarët kishin të njëjtën të drejtë (gjatë viteve 1990) për të formuar formacionet e tyre të armatosura dhe lideri i tyre Hashim Taçi ishte në negociatat në Rambuje”, tha Daçiq.

I pyetur nëse Beogradi do ta ndiqte penalisht Radoiçiqin nëse konstatohet se ai ka organizuar një grup të armatosur, Daçiq pyeti: “Për çfarë?” dhe vlerësoi se “standardet e dyfishta janë në punë”.

“Ata (autoritetet e Prishtinës) thonë se janë terroristë dhe flasin për integritetin territorial të Kosovës, por po për integritetin territorial të Serbisë?” tha Daçiq dhe pyeti “Pse ata (serbët e armatosur) janë terroristë dhe pjesëtarët e UÇK-së janë luftëtarë të lirisë?” dhe “Pse u organizuan ata (serbët nga Kosova) fare?”

Është, siç tha ai, një “lëvizje autoktone e serbëve”, por ka theksuar se zgjidhja “është në deeskalim”, në rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës dhe në zgjedhjet e reja në Kosovë.

Daçiq tha se nuk është në interesin e Serbisë që të shohë humbjen e jetëve njerëzore, as serbëve dhe as shqiptarëve, dhe se do të ishte më mirë që i gjithë procesi të kthehej në atë që ishte vendosur 10 vjet më parë: të përpiqet të arrijë normalizimin e jetën e përditshme përmes dialogut, duke mos hyrë në çështje statusore.

“Dhe këtu vijmë te problemi kyç, që është se Kurti nuk pranon fare që negociatat janë status neutrale. Nëse do t’i përmbaheshim kësaj, këto incidente nuk do të kishin ndodhur”, tha Daçiq.

Këto mohime të Daçiq veç sa e thellojnë edhe më shumë të vërtetën se Serbia qëndron prap grupit terrorist që të dielën sulmoi Kosovën. /Ballkani.info/