Çudit Danilo, tregon se ia kërkoi Cristiano Ronaldos fanellën me numrin 7

Danilo është i motivuar nga mundësia për t’u bërë lojtar edhe më i mirë në Juventus, me ndihmën e ish bashkëlojtarit të tij në Real Madrid, Cristiano Ronaldos, të cilit mbrojtësi anësor ia kërkoi në formë shakaje fanellën me numër shtatë.

Braziliani, i cili luan në pozitën e mbrojtësit të krahut, u transferua në Juventus javën e kaluar si pjesë e një marrëveshjeje që e dërgoi Joao Cancelon në Manchester City në formë shkëmbimi.

Tani, Danilo do të ribashkohet me pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Ronaldon, në “Allianz Stadium”, pasi kjo dyshe i kishte fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve gjatë kohës sa të dy ishin pjesë e Real Madridit.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, Danilo bëri shaka se ai ia kishte kërkuar Ronaldo fanellën me numër shtatë të Juventusit.

“Unë fola me të para se të vija këtu. I thashë atij se doja ta merrja fanellën me numër shtatë, mirëpo ajo fanellë veçse ishte e zënë”, u shpreh Danilo gjatë prezantimit të tij si lojtar i Juventusit.

“Ai e lavdëroi shumë Juventusin dhe mundësia për të luajtur përkrah tij ishte motivim shtesë. E gjeta këtu një Ronaldo shumë të motivuar dhe shumë të lumtur. Ai foli për klubin si një familje dhe kjo më siguroi. Ishte e mrekullueshme të dëgjosh gjëra të tilla”.

Pasi ishte përdorur vetëm si rezervë në Manchester City, duke luajtur në gjithsej 34 ndeshje gjatë dy sezoneve në Premierligë, Danilo besonte se ka ardhur koha që ta nisë një aventurë të re, me Juventusin.

“Çdo moment është i rëndësishëm për ta formësuar karakterin si lojtar. Edhe pse unë nuk luajta ashtu siç doja, ato vite ishin të rëndësishme për mua dhe do të më ndihmojnë ta kem mentalitetin e duhur këtu në Juventus”, shtoi Danilo, i cili në Juventus do ta mbajë fanellën me numër 13.

“Përshtypjet e para janë të mira. Jam mirëpritur shumë ngrohtësisht dhe unë ndihem mrekullueshëm që jam këtu në këto ditë të para. Kishte pasur diskutime me Juventusin edhe në të kaluarën, por besoj se ky ishte momenti i duhur për të ardhur këtu”.

loading…