CR7

Cristiano Ronaldo sqaron planet për të ardhmen e tij, mohon planet për pensionim

Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo, në një prononcim të shkurtër pas ndeshjes së djeshme ndaj Sllovakisë, sqaroi planet e tij për të ardhmen si dhe mohoi zërat që e lidhnin atë me një pensionim.

Ronaldo ishte protagonisti kryesor në fitoren 3-2 të Portugalisë në shtëpi ndaj Sllovakisë, duke shënuar dy gola. Kjo fitore ua siguroi atyre matematikisht kualifikimin në EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm, ani pse kanë edhe tri ndeshje për të luajtur.

“Unë nuk kam vendosur asgjë rreth të ardhmes sime tani. Nuk mendoj për të ardhmen, unë mendoj për të tashmen dhe mundohem ta shijoj momentin”, ka thënë fillimisht Ronaldo.

Tutje, ai tha se shpreson që të luajë në EURO 2024 dhe që të mos pësoi ndonjë lëndim deri atëherë.

“Shpresoj që do të jem në EURO 2024, ka mbetur ende edhe shumë kohë. Shpresoj që nuk do të kem ndonjë problem ose lëndim. Më pëlqen të luaj për Portugalinë, është shtëpia ime”, përfundoi 38-vjeçari.

Me dy golat e shënuar ndaj Sllovakisë, Ronaldo tashmë ka kapur shifrën e 73 golave të shënuar me kombëtaren pas moshës 30 vjeçare.

Kjo është shifra më e lartë e golave të shënuar nga një futbollist i çdo moshe për Gjermaninë, Francën, Italinë, Anglinë, Spanjën dhe 187 shtete tjera.

Ylli luzitan do të rikthehet përsëri në aksion pas dy ditësh, me Portugalinë që do të luajë në udhëtim ndaj Bosnje-Hercegovinës.