Takimi me Milanin

Cristiano Ronaldo nuk ka shënuar asnjëherë në “San Siro”

Juventusi do të udhëtojë nesër drejt Milanos, ku do të përballet me kuqezinjtë e Gattusos, në ndeshjen e radhës të kampionatit italian, planifikuar për në orën 20:30.

Përveç historisë së të dy skuadrave, kjo sfidë bëhet edhe më interesante, pasi pritet me kuriozitet performanca e Cristiano Ronaldos në stadiumin “San Siro”.

Kjo pasi portugezi ka luajtur plot 5 herë në këtë impiant dhe nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, duke bërë që kjo të jetë statistika më e keqe në karrierën e tij sportive.

Cristiano Ronaldo ka luajtur 3 herë në “San Siro” kur ishte pjesë e Manchester Unitedit, ku në dy raste ka pasur kundërshtar pikërisht Milanin dhe në një tjetër, Interin.

Dy herë të tjera, Ronaldo ka zbritur në impiantin mitik të Milanos me fanellën e Real Madridit, për t’u përballur me Milanin në vitin 2010 dhe me Atletico Madridin në finalen e Champions Leagues për vitin 2016.

Pikërisht për këtë arsye, sulmuesi portugez do të ketë motivim të dyfishtë të dielën në mbrëmje, pasi përveç suksesit me bardhezinjtë, do të kërkojë të fshijë “San Siron” nga lista e stadiumeve ku nuk ka shënuar ende.