Mesfushori i Barcelonës, Philippe Coutinho, është pro një lëvizjeje te Chelsea, nëse ai e lë “Camp Nou” këtë verë, sipas “Daily Express”.
27-vjeçari është gjithashtu objektiv i PSG në merkaton e kësaj vere, por ai do të preferonte të kthehej në Premier League.
Coutinho pati një sezon jopozitiv (2018-2019) me Barcelonën, duke shënuar vetëm 5 gola dhe dhënë dy asiste në 34 ndeshje të La Liga-s. Sipas ekspertit të transferimeve, Duncan Castles, braziliani do të zgjedhë “Blutë e Londrës” para PSG.
Ai pretendon se edhe Manchester United e pëlqen Coutinho, megjithatë, është më i prirur të marrë lojtarin tjetër të Barcelonës, Ivan Rakitiç.
Coutinho përfaqësohet nga disa agjentë, të cilët kanë lidhje shumë të forta me Chelsean, kanë bërë një numër të madh marrëveshjesh me dhe për atë klub.







