Ylli brazilian ndihet i lumtur me suksesin e ish-klubit të tij, duke insistuar se arritjet e “Reds” nuk janë të befasishme
Philippe Coutinho nuk është aspak i befasuar me sukseset e Liverpoolit në dy vjetët e fundit, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, ylli brazilian insiston se nuk është pishman që ishte larguar nga “Anfield Road”.
27 vjeçari i ishte bashkuar Barcelonës në janar të vitit 2018 pas pesë vjetësh të kaluar me “Reds”.
Ai nuk e gjeti veten sa duhet në Camp Nou dhe verën e kaluar u huazua në Bayern Munich.
Ish-futbollisti i Interit dhe Espanyolit thotë se nuk i vajton asnjëherë vendimet që i ka marrë.
“Liverpooli po fluturon dhe kjo nuk po më befason mua. E kemi parë vitin e kaluar duke e fituar Ligën e Kampionëve. Nuk jam i befasuar pasi ka ekip dhe trajner fantastik. Jam mjaft i lumtur për ta, kam miq atje”, ka thënë Coutinho për “Sports Illustrated”.
“Por, unë nuk shikoj prapa. E kam bërë një tjetër hap, jam në një tjetër rrugë. Jam i fokusuar për t’i arritur ëndrrat. Jam i lumtur me atë që e kam bërë në të kaluarën dhe tash po shikoj vetëm përpara”, shtoi përfaqësuesi brazilian.
Coutinho nuk dëshiron të rikthehet në Barcelonë dhe shpreson ta vazhdojë eksperiencën në “Allianz Arena”.







