Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) konfirmoi të enjten se sulmuesi Neymar duhet të paraqitet para autoriteteve përkatëse, ku do të japë shpjegime mbi akuzën e përdhunimit, e bërë ndaj tij nga një modele braziliane.

Njëherazi, sulmuesi ka marrë fjalë mbështetjeje nga trajneri Tite dhe shoku i kombëtares, Philippe Coutinho.

“Kam marrë informacion nga babai i Neymar dhe avokatët e tij se është njoftuar të paraqitet më 7 qershor para hestuesve të çështjes. Sulmuesi, edhe po të mos ishte dëmtuar në miqësoren ndaj Katarit, do të merrte leje për të dhënë deklaratën e tij para autoriteteve”, – tha në një konferencë shtypi, në orët e hershme të kësaj të enjte, menaxheri i Selecao, Edu Gaspar.

Brazili mundi 2-0 Katarin të mërkurën në mbrëmje, në një ndeshje miqësore, ku Neymar u desh ta braktiste fushën në minutën e 17-të, i dëmtuar në kyçin e këmbës së djathtë.

Lojtari i Barcelonës, Philippe Coutinho, i ka dalë në mbrojtje shokut të tij në kombëtare, në këtë moment të vështirë për të, kur gjendet mes disa zjarresh, edhe akuzave për përdhunim.

“Ney është njeri i shkëlqyer, një lojtar super i rëndësishëm për grupin tonë. Ai kishte probleme personale, por nuk na takon neve t’i komentojmë. U hidhërova nga lëndimi i tij, shpresoj të mos ketë asgjë serioze”.

Dëmtimi ishte një “dush i ftohtë” për yllin e Brazilit, ndaj të cilit, në ditët e fundit, policia ka hapur hetime serioze. Ato kanë të bëjë me akuzat për përdhunimin e një modeleje braziliane në një hotel të Parisit.

Najila Trindade e denoncoi me këtë akuzë të rëndë transferimin rekord botëror (222 milionë euro), teksa paraqiti edhe provat përkatëse në sektorin e specializuar të dhunës kundër grave, në stacionin policor të Sao Paulo. Ajo ka dhënë edhe dy intervista për televizionet lokale, në të cilat rikonfirmoi akuzat.