Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois ka kërkuar nga bashkëlojtarët të nxjerrin mësime nga humbja e mbrëmshme përballë Zvicrës, teksa helvetët përmbysën “Djajtë e Kuq”.
Belgjika u ndodh në një avantazh të shpejtë teksa Thorgan Hazard realizoi dy gola brenda 20 minutave, por zviceranët u zgjuan duke shënuar 5 gola për të arritur një prej rikthimeve më spektakolare në historinë e tyre.
Gardiani belg i Real Madridit, Courtois nuk ishte në gjendje të shmagnte humbjen e thellë ndërsa sipas tij kombëtarja e Belgjikës u vetkënaq me avantazhin e dyfishtë duke menduar se ndeshja kishte marrë fund.
“E filluam mirë ndeshjen derisa kaluam në avantazh dhe e dyfishuam rezultatin. Pastaj i humbëm duelet dhe e falëm një penallti idiote. Zvicra kishte më shumë shpresë për të përmbysur rezultatin, mendoj se pas 2-0 skuadra kishte ndjenjën se gjërat nuk do të shkonin keq. Por kjo është ndeshje e kompeticionit madhor dhe shpresoj se do të nxjerrim mësime nga ky dështim”, theksoi Courtois.
Belgjika e përmbylli grupin 2 të Ligës A me 9 pikë aq sa ka edhe Zvicra në vendin e parë por belgët i penalizoi rezultati në përballjet direkte.







