“Copëza jem e shpirtit, hareja e shtëpisë ka ndërruar jetë”, fjalët prekëse të vëllait të 24-vjeçarit që vdiq dje

Ballkani.info mbrëmë raportoi për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Obiliq, ku B.B 24-vjeçar, vdiq pasi u plagos me armë zjarri në poligonin e shenjëtarisë “Katana”.

Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe vëllai i Blendinit, i cili ka shkruar disa fjalë prekëse.

“Të shpërbleftë Allahu me xhenet vëllai im, copëza jem e shpirtit. Të gjithë miqve tanë ju japim lajmin se Blendin Bytyqi, gëzimi dhe hareja e shtëpisë sonë ka ndërruar jetë”, ka shkruar ai.

Poligoni i Shenjëtarisë në Obiliq ku vdiq i riu, ka reaguar menjëherë pas lajmi u raportua në media, duke thënë se është vetëvrasje e qëllimshme.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga ky poligon, ngjarja ka ndodhur përkundër faktit se janë zbatuar të gjitha procedurat e sigurisë.

“Me qëllim të informimit të drejtë dhe me qëllim të parandalimit të thashethemeve dhe dezinformatave të shumta, e duke pasur respekt ndaj privatësisë se personave të përfshirë në ngjarje, njoftojmë opinionin se para pak kohësh, në poligonin e shenjëtarisë ka ndodhur një vetëvrasje e qëllimshme. Ngjarja ka ndodhur përkundër faktit se janë zbatuar te gjitha procedurat standarde të sigurisë. Kërkojmë nga të gjithë, e sidomos mediat që të kujdesen për mënyrën e informimit dhe të kenë respekt ndaj familjes së të ndjerit. Çfarëdo informate rreth këtij rasti, do ta merrni nga zyrtarët përkatës të Policisë se Kosovës”, thuhet në reagimin e poligonit.

24-vjeçari ndërroi jetë në QKUK, rreth një orë e gjysmë pasi që u plagos.

“Rreth orës 19:15, nga ana e mjekeve në QKUK është konfirmuar që viktima ka ndërruar jetë”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.