Anësori i Bayernit

Coman e mendon pensionimin nëse vazhdon makthi i lëndimeve

Kingsley Coman është drejt përfundimit të një tjetër viti me lëndime, dhe nëse i përsëritet lëndimi në kyçin e këmbës, anësori i Bayernit nuk e përjashton mundësinë e pensionimit nga futbolli.

22 vjeçari konsiderohet si një prej lojtarëve që premtojnë shumë por problemet fizike ia kanë pamundësuar aktivizimin në mënyrë të vazhdueshme.

Këtë sezon Coman ka zhvilluar vetëm 3 paraqitje për Bayernin në Bundesliga, ndërsa gjatë dy edicioneve të kaluara kishte regjistruar nga 21 dhe 19 ndeshje.

Ish lojtari i Paris Saint Germanin dhe Juventusit është futur në lojë si zëvendësues në dy përballjet e fundit të Bayernit ndaj Werder Bremenit dhe Nurnebergut, pas dëmtimit që e pësoi gjatë muajit gusht në ligamentet e kyçit të këmbës, lëndim që e pati mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë edhe në të kaluarën.

“Është një vit i vështirë, kur e kam lënduar veten ka qenë fundi i botës për mua. Shpresoj se nuk do të më duhet të përjetoj sërish gjërat e njëjta, mjafton me kaq. Nuk do të pranoj operacionin e tretë, sepse ndoshta këmba ime nuk është për këto nivele. Pastaj do të kem një tjetër jetë, jetë anonime”, tha Coman.

Trajneri i Bayernit i ofroi mbështetjen e tij ndaj futbollistit francez duke thënë se i kishte munguar skuadrës së tij 22 vjeçari.