Superclasico-ja argjentinase mes Boca Juniors dhe River Plate është cilësuar si derbi më i bukur dhe entuziast në botë, veçanërisht për frymën që ekziston mes tifozërive të të dy skuadrave, ndërsa pasditen e djeshme është konfirmuar edhe njëherë kjo.
Skuadra e Boca Juniors kishte planifikuar për të zhvilluar në stadiumin “Bombonera” stërvitjen e fundit, me dyer të hapura për tifozët, para se të bëheshin gati për të luajtur në “Monumental” sfidën e 24 nëntorit.
Gjithsesi befasia më e madhe për skuadrën ishte se kur zbritën në terrenin e “Bombonera-s”, panë një stadium të tejmbushur, ndërsa drejtuesit e klubit njoftuan për më shumë se 1000 njerëz që kishin mbetur jashtë, për mungesë vendi.
Kjo ishte diçka “magjike”, me “Gjenovezët” që kërkuan të inkurajojnë skuadrën në prag të udhëtimit në shtëpinë e rivalëve më të mëdhenj, pasi dihet që në stadiumin e Riverit nuk do të jenë, për shkak të vendimit për luajtjen e sfidave pa tifozërinë mike.







