“Çmendet” Serbia pas aksionit të Policisë për sekuestrimin e kamerave të sigurisë nga strukturat ilegale

E ashtuquajtura Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në komunën e Shtërpcës për sekuestrimin e kamerave të sigurisë dhe dokumenteve të strukturave ilegale në këtë komunë.

Qysh në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt është duke e vazhduar aksionin për sekuestrimin e kamerave të sigurisë në Komunën e Shtërpcës, kamera këto të vendosura nga strukturat ilegale e që më pas udhëheqësit e këtyre strukturave pamjet ua dërgonin autoriteteve serbe, raporton Demokracia.com.

Pas këtij aksioni ka reaguar e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë duke thënë se “Shtërpca po pushtohet”.

“Edhe pse njësitet nga Prishtina e dinë shumë mirë se kamerat, të cilat janë instaluar ligjërisht para gati dhjetë vjetësh, nuk janë në funksion për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë kontrolluar disa herë në ditët e kaluara, kjo u shërbeu si arsyetim për të pushtuar përsëri Shtërpcën, për të ngacmuar njerëzit që nuk mund të funksionojnë normalisht. Me çfarë arsyetimi forcat speciale bastisin shkollën fillore serbe në Shtërpcë?. Nuk ka dyshim se ka një sulm dhe presion të ri ndaj serbëve që të largohen nga dera e tyre sepse nuk ka arsye të justifikuar për një veprim të ri të Njësisë Speciale në këtë mjedis serb”, thuhet në reagimin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Aksioni i policisë për sekuestrimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale në Shtërpcë, por edhe sekuestrimin e dokumenteve të tjera është duke vazhduar edhe më tutje.