Më në fund, Liridon Latifi është kthyer ai që njihnim te Skënderbeu, kur mahniti Shqipërinë dhe shumë klube të huaja me lojën dhe golat e tij, që e bënë pjesë të kombëtares shqiptare.
Sulmuesi kuqezi ka qenë heroi i Puskas Akademia sot, sepse ka shënuar tre golat e fitores 3-1 në Kupën e Hungarisë, në fushën e Paks.
Në këtë takim Latifi ka luajtur si sulmues i vetëm në një skemë 4-2-3-1, duke treguar se është shumë i zoti edhe si “pykë” në sulm.
Puskas fitoi 3-1, pas humbjes shtëpiake 2-1 në 20 shkurt. Një paraqitje mbresëlënëse e Latifit, i cili në minutën e 23-të barazoi pas avantazhit vendas, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi, ndërsa në fundin e pjesës së parë humbi një rast ideal për të dyfishuar. Festa thjesht u shty, sepse në minutat 75 e 82 25-vjeçari kuqezi shënoi edhe dy gola të tjerë, i treti me 11-metërsh.
Në dy sezone te Puskas Latifi kishte luajtur pak, kishte shënuar vetëm 3 gola në total dhe kishte ngjallur shumë debate, por djaloshi nga Prishtina sot me siguri i ka heshtur gjithë kritikët dhe ka treguar se është një investim i shkëlqyer, nëse i jepet besim.







