Fulhami e ka emëruar trajner të ri italianin Claudio Ranierin teksa e kanë shkarkuar serbin Slavisa Jokanovic.
Ranieri udhëhoqi Leicester Cityn drejt titullit në Premier League gjatë sezonit 2015-2016, ndërsa më herët ka qenë edhe trajner i Chelseat.
67 vjeçari e ka pasuar në këtë detyrë Slavisa Jokanovicin i cili grumbulloi vetëm 5 pikë pas 12 javëve, me Fulhamin që ndodhet në pozitën e fundit të klasifikimit.
Pronari i klubit londinez, Shahid Khan ka thënë se përvoja e Ranierit në Angli e ka shtyer ta sjellë italianin në stolin e Fulhamit, ndërsa theksoi se kanë nënshkruar kontratë për shumë vite.
Ranieri shprehu lumturinë e tij për detyrën e re kurse shtoi se skuadra aktuale e Fulhamit meriton më shumë se fundi i tabelës.
“Është një nder ta pranoj këtë ofertë dhe një mundësi e mirë për të drejtuar Fulhamin, një klub me histori dhe traditë të madhe. Objektivi te Fulhami nuk duhet të jetë asnjëherë mbijetesa, duhet të jemi skuadër e vështirë për t’u mposhtur. Fulhami ka futbollistë me talent të jashtëzakonshëm që nuk përputhet me rradhitjen”, tha Ranieri.
Eksperienca e fundit e ish trajnerit të Juventusit dhe Interit ishte në Francë te Nantes edicionin e kaluar derisa në përfundim të sezonit u largua duke e pozicionuar skuadrën në pozitën e 9-të.
Ndeshja e parë për Ranierin në drejtimin e Fulhamit do të jetë ndaj Southamptonit me 24 nëntor.







