Njeriu që dikur udhëhoqi Lëvizjen Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se është e pakuptimtë se si po shpërfillet Shefi i Qeverisë nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se është për keqardhje pse bartësit kryesorë të institucioneve s’kanë kurrfarë koordinimi përballë dialogut me Serbinë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pranuar kolicionin me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe sëkëndejmi Albin Kurtin kryeministër, me vullnet politik dhe me marrëveshje. Andaj sjellja e zyrtarëve të caktuar të saj karshi shpërfilljes së kryeministrit në vazhdimin e dialogut me Serbinë është e pakuptimtë. Aq më tepër që bashkë (e LDK më shumë) për një vit rresht e trumpetuan si fitore të madhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili në mënyrë eksplicite drejtimin e dialogut ia lë ekskuzivisht në dorë Kryeministrit.
“Është tejet e dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen tonë si shoqëri nëse vazhdohet me këtë ç‘akordim institucional rreth një teme kaq të rëndësishme”, ka shkruar Ymeri, në një reagim në FB.
E dje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për marrëveshjet e nënshkruara në Munih, mes Kosovës e Serbisë, shkruan Ballkani.info.
Dje, me ndërmjetësimin amerikan, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje fillestare, atë për hekurudhat dhe atë për autostradat.
“Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se në praninë e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, marrëveshjet janë nënshkruar nga Xhemë Veseli, drejtor i Transportit rrugor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës rrugore.
Kurti, thotë se ky proces duhej të ishte transparent.
Mirëpo, këtu ekziston një paqartësi. Për dallim nga Kurti, marrëveshjet e sotme në Munih i kanë përshendetur zyrtarët më të lartë të LDK-së, shkruan Ballkani.info.
Marrëveshjet i ka përshendetur zëvendësi i Kurtit në qeveri, anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Brendshme, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliut.
Sipas kësaj, qeveria është e pakoordinuar brenda saj. A do të thotë kjo se ka nisur çarja e koalicionit LVV-LDK vetëm 11 ditë pas formimit të saj?!
E duket se as brenda LDK-së nuk ka pajtim e as koordinim kur bëhet fjalë për këto marrëveshje. Derisa Hoti dhe Veliu i përshendeten marrëveshje, është nënkryetarja e LDK-së dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e cila ka thënë sot se nuk ka informacione të detajuara sa i përket marrëveshjes për hekurudhat të nënshkruan në Berlin, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ajo thotë se marrëveshja nuk është dërguar në Kuvend dhe se nuk mund ta komentojë pa e parë përmbajtjen.
Për më shumë informacione ajo ka rekomanduar që të kontaktohet ministria e Infrastrukturës, përfaqësues të së cilës hodhën firmat në këtë marrëveshje.
“Nënshkrimi i marrëveshjes nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, është çështje që duhet t’i adresoheni Ministrisë së Infrastrukturës. Nuk i di detajet dhe si njoh kush janë zyrtarët marrëveshja e mbrëmshme”.
“Marrëveshja nuk na është dërguar zyrtarisht, në momentin që ne si Kuvend e marrim zyrtarisht tekstin e marrëveshjes do të kemi mundësi ta komentojmë përmbajtjen e saj. është e vështire me komenti një tekst i cili nuk i është dërguar Kuvendit të Kosovës”. /Ballkani.info/







