Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 24 tetor 2023, thotë se Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte filluar hetimet më 13 korrik 2023 kundër Bislimit, Beqës dhe Lushtakut, për veprën penale “Sulmi”, e më 17 korrik 2023 ishin zgjeruar hetimet edhe ndaj Bekim Haxhiut për të njëjtën vepër.

Më pas, kjo Prokurori ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, në drejtim të katër të pandehurve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se gjendja faktike lidhur me lëndimet e të dëmtuarit Hekuran Murati vëretohet edhe në bazë të mendimit të ekspertit mejko-ligjor Dr. Naim Uka, sipas të cilit i dëmtuari Murati i cili ishte goditur  me grusht, ka pësuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shendetin dhe atë dëmtime në fytyrë, dëmtime si ndrydhje të indeve të buta në regjionin e nofullës së majtë, dhe në regjionin e shputës së këmbës së majtë.

I dëmtuari- dëshmitari Murati thuhet se kishte deklaruar në Prokurori se në në seancën e cila filloi në orën 10:00, kishte qenë duke mbajtur fjalim Kryeministri për qëndrimet e Qeverisë, dhe në fjalim e sipër të tij e kishte vërejtur deputetin Mergim Lushtaku, i cili po i afrohej Kryeministrit, e më pas edhe disa deputetë të tjerë të PDK-së, drejt foltores.

“Në atë moment e kam parandje si rrezik për eskalim të situatës për t’u sulmuar Kryeministri dhe e kam parë që deputeti Lushtaku ka pasur një shishe me lëng në dorë që në ato momente nuk e kam ditur se cka kishte në të, jam ngritur dhe kam marrë fasiklen e dosjes për ta mbrojt nga gjuajtja e atij lëngu”, citohet të ketë deklaruar Murati.

Në aktakuzë thuhet se Murati ka deklaruar se Lushtaku kishte gjuajtur fillimisht Kryeministrin e më pas zëvendëskryeministrin dhe se ai ishte munduar ta qetësojë situatën duke i mbajtur duart lartë dhe të hapura për të përçuar mesazh që nuk dëshironte që të eskalojë situata.

“Deputeti Lushtaku ka filluar të më shtyj me duar, pastaj kanë arritur edhe deputetët e tjerë të PDK-së dhe kanë filluar goditjet”, citohet të ketë thënë Murati.

Tutje, Murati thuhet se ka deklaruar që përveç deputeti Lushtaku ka ardhë edhe deputeti Hajdar Beqa, i cili ia kishte marrë syzet dhe pastaj kishte vazhduar me goditjet me grusht në fytyrë dhe në pjesën mbi vetull. Ai thuhet se ka deklaruar që në video e kishte parë edhe deputetin Bekim Haxhiu, i cili në mënyrë tinzare e kishte goditur në pjesën e majtë të fytyrës.

Pas ndërhyrjes së Policisë dhe deputetëve të tjerë, thuhet se Murati ka deklaruar që s’ka pasur goditje tjera, por që i ishin dëmtuar syzet, të cilat duhet t’i zëvendësojë me tjera.

“Prej goditjeve që kam marrë, kam dhimbje të nofullës, të cilën dhimbje e vërejta kur kam provuar me hëngër bukë, kam dhimbje edhe në këmbën e majtë, për të cilën nuk e di kush më ka sulmuar”, kishte deklaruar i dëmtuari Murati, i cili kishte shtuar se nuk ka pasur probleme personale me tre deputetët.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Besnik Bislimi në mbrojtjen e tij në Prokurori kishte deklaruar, se nga nervoza kishe hedhur një shishe me ujë pak në drejtim të deputetit Mergim Lushtaku, pa qëllim për ta goditur dhe shishija nuk e ka goditur askënd,  pasi që deputeti Lushtaku i kishte hedhur ujë kryeministrit dhe atij, dhe e kishe sulmuar ministrin Murati.

Bislimi citohet të ketë thënë se në një moment e kishte ndjerë një goditje në fytyrë, por se nuk e ka ditur se kush e ka goditur, por sipas tij, në bazë të videove del që ishte Mergim Lushtaku.

“Pastaj unë zgjas dorën në drejtim të tij, por nuk kam mundur me godit askënd… Janë futur sigurimi i kryeministrit dhe pastaj mua nuk më është afruar askush më”, thuhet të ketë deklaruar Bislimi, i cili kishte thënë se nuk ka pasur asnjë problem me Lushtakun.

“Jo nuk e konsideroj veten fajtor për veprën penale që më keni ftuar, e ndjej veten të dëmtuar”, kishte thënë Bislmi.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Mergim Lushtaku në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori, kishte deklaruar se në Kuvend kishin shkuar për të marrë pjesë në seancë dhe se gjatë prezantimit nga Qeveria, deputetët e PDK-së e kihsin vendosur një pankartë me fjalët “ZDRAVO”, për skandalin ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të LVV0së, Mimoza Kusari dhe Simiqi nga Lista Serbe, për akomodimin e kërkesave të kriminelit të kvrkuar ndërkombëtarisht, e më pas u vendos edhe një fotografi e Kryeministrit në formë të pinokios.

Ai thuhet se ka deklaruar se është ngritur në këmbë pasi Bislmi e ka marrë foton dhe e ka grisur, duke fyer e sharë deputetët opozitar.

“Unë në atë moment në mënyrë spontane reagova duke hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit. Më pas zv/kryeministri Bislmi më ka goditur me shishe me ujë në fytyrë”, citohet të ketë thënë Lushtaku.

Lushtaku thuhet se ka thënë që gjatë gjithë kohës sa ishin në këmbë janë sharë nga Bislimi, duke e tensionuar situatën dhe se pasi ishin larguar nga kolegët, e ka vërejtuar se këmisha i ishte grisur dhe se kishte dhimbje e skuqje në anën e djathtë të barkut.

“Nuk më kujtohet se çfarë ka ndodhur mes shtyrjeve dhe si kam vepruar, dhe ka qenë gjendja jashtë kontrollit tim”, thuhet të jetë përgjigjur Lushtaku kur është pyetur se a e ka goditur Bislimin.

Ai ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor dhe se e kishte bërë në vetëmbrojtje sepse janë provokuar, fyer e sharë gjatë gjithë kohës.

Kurse, i pandehuri Hajdar Beqa thuhet se në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori, kishte deklaruar se i vjen keq që ka ndodhur një sitatë e tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ndihet i dëmtuar dhe jo fajtor sepse sipas tij e gjitha kishe filluar nga Bislimi.

Ai thuhet se ka thënë se kishin vendosur të protestojnë me mjete demokratike pas publikimit të audio-incizimeve të Kusari-Lilës. Sipas tij, pasi e kishte hequr pankartën Bislimi kishin filluar fyerjet e mazhorancës e më pas Lushtaku i spërkatë me ujë, e që ky i fundit është sulmuar nga Bislmi me shishe të ujit dhe nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar.

Beqa thuhet se ka thënë që kishte shkuar për ta shtensionuar situatën dhe se sipas tij janë shtyrë e sharë nga mazhoranca.

Sipas aktakuzës, Beqa kishte thënë se nuk i kujtohet se si i kishin ardhur syzet e Muratit në duar, por që ia ka dorëzuar në mënyrë njerëzore.

“Jo, syzat nuk ia kam dëmtuar, nuk kanë qenë të dëmtuar”, citohet të ketë deklaruar Beqa, i cili ka shtuar se nuk i kujtohet nëse e ka goditur dikë apo është goditur nga dikush dhe se nuk kishte pasur asnjëherë raportet të këqija me ta.

Kurse, Bekim Haxhiu thuhet se në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori kishte thënë se në seancë e kishte ngritur shqetësimin për aferën e ashtuquajtur “ZDRAVO” dhe përmendjen e tij në ato audio-incizime.

Haxhiu kishte thënë se s’kishte pasur asnjë qëllim as planifikim të sulmojë askënd.

Në aktakuzë thuhet se në Prokurori teksa kishte rrëfyer ngjarjen, Haxhiu kishte thënë se Bislimi e kishte marrë foton e vendosur nga Ganimete Musliu dhe e ka grisur, duke ofenduar dhe sharë deputetët e PDK-së, e më pas ka reaguar Lushtaku, duke e spërkatur me ujë Kryeministrin.

Ai thuhet se ka deklaruar se Bislimi e kishte ofenduar Lushtakun duke i thënë “vrasës”, meqë rast e gjuan me shishe duke e goditur në fytyrë, njëkohësisht edhe Hekuran Murati e kishte sulmuar Lushtakun me diçka në formë fasikle.

Haxhiu thuhet se kishte deklaruar se ishte ngritur nga ulësja e deputetit për të zmbrapsur sulmin ndaj Lushtakut.

“Në momentin që unë kam mbërritur afër tij ka qenë nën sulm nga anëtarët e kabintetit Qeveritar, konkretisht Besnik Bislimi”, thuhet të ketë deklaruar Haxhiu, i cili ka shtuar se nën emocione dhe për mbrojtje të nevojshme kishte reaguar për ta mbrojtur Lushtakun.

Ai thuhet se ka deklaruar që pasi ishte shtyrë nga deputetët e VV-së dhe pjesëtarët e sigurimit të Kurtit, e godet ministrin Murati duke dashur ta godasë Bislimin dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Haxhiu kishte thënë se nuk ka pasur problem me asnjërin prej tyre dhe se nuk e ndjen veten fajtor.

Ndërsa, në cilësinë e të dëmtuarit, Besnik Bislimi, para hetuesve, thuhet se deklaroi se fillimisht ishte sulmuar Kryeministri me ujë, e pastaj ai nga deputeti Lushtaku.

“Atakimi i deputetit Lushtaku dukej qartë si sulm fizik”, citohet të ketë deklaruar Bislimi në cilësinë e të dëmtuarit.

Ai thuhet se ka deklaruar se kjo ngjarje kishte pasur për synim kryesor ka pasur dëmtim timin fizik, por edhe prishjes së imazhit individual të tij dhe të Qeverisë në tërësi.

Kurse, Mergim Lushtaku në cilësinë e të dëmtuarit thuhet se para hetuesve deklaroi se pas hedhjes së ujit, kishte dëshiruar të ulët në ulesën e tij por Bislimi e kishte hedhur një shishe me ujë në drejtim të tij ku e ka goditur në fytyrë dhe më pas i ishin vërsulur anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.

Në deklaratën e të dëmtuarit Lushtaku, thuhet se pasi Besnik Bislimi e kishte goditur në fytyrë, Lushtaku kishte thënë se ka qarje në buzë dhe dhimbje në sy dhe se e gjithë kjo ndodhi pasi ishte nxitur nga Bislimi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.