“Çka ka, çka s’ka”? | Dy banesa, një shtëpi vikendi: E ruajti punën në Agjenci, sa është pasuria e deputet Bajqinovcit?

Gjatë ditës së djeshme, gazeta Nacionale raportoi se si Mefail Bajqinovci po e ruante pozitën e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (ish-Agjencia Kundër Korrupsionit) tash e tri vjet. Por, sa është pasuria e deputetit të Vetëvendosjes?

Bajqinovci nuk ishte thjesht gazetari i emisionit politiko-mjekësor Puls. Ai derisa e bënte atë emision ishte edhe shef i Zyrës për Mbështetje dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar. Këtë pozitë ai kishte vendosur që ta pezullonte, dhe të cilën do të ketë të drejtë ta marrë sërish pasi të mos jetë më deputet.

Tash, Bajqinovci nga Kodra e Trimave është deputet dhe të ardhurat e tij nuk do ta bëjnë ta ndjejë aq shumë inflacionin që ka prekur vendin.

Në deklarimin e tij të pasurisë pikërisht në Agjencinë ku ka punuar, Mefail Bajqinovci ka treguar se i ka dy banesa (njëra me terasë të madhe 62 metra katrorë) dhe një shtëpi vikendi me 15 ari tokë.

Banesën me 53 metra katrorë thotë se e ka blerë. Ndërsa, banesën 106 metërshe që ka edhe terasë 62 metra katrorë thotë se e ka blerë me kredi. Ndërkohë, shtëpinë e vikendit me 15 ari tokë thotë se e ka ndërtuar me kredi.

Vlera e krejt këtyre sipas tij është 116 mijë euro.

Mefaili ka treguar se nuk ka fare veturë, por bashkëshortja e saj megjithatë e ka një që vlen 14 mijë euro.

Sa i përket parave të gatshme, ai i ka deklaruar vetëm 1 mijë euro, ndërsa të përbashkëta i ka 3 mijë të tjera. Bashkëshortja e tij i ka 1 mijë e 850 euro.

Por, cilat janë të ardhurat e tij dhe familjes së tij?

Paga vjetore e tij në Kuvendin e Kosovës është 23 mijë e 215 euro. Ndërkohë, ai ka lëshuar edhe njërën banesë me qira dhe i merr nga 2400 euro në vit.

Por, ai e ka treguar edhe një mëditje të marrë nga institucion i quajtur “KPK”.

Ndërkohë, bashkëshortja e Mefit del se përveç që punon në Shërbimin Spital dhe merr një pagë prej 7500 eurove, punon edhe si mësimdhënëse dhe në një klinikë private.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar APK-në për ta pyetur nëse e sheh si konflikt interesi pezullimin e punës nga deputet Bajqinovci por deri tash nuk ka marrë përgjigje.