LAJMI I FUNDIT

“Çka do t’u thuash, kush të dha leje”: Mësohet se si Vuçiq ia anuloi konferencën Petkoviqit pas sulmit terrorist në Kosovë

Edhe pse ishte paralajmëruar që i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq t’i drejtohej mediave pas sulmit terrorist në Kosovë, të dielën në orën 14, siç dihet, kjo nuk ka ndodhur. Në komunikatën zyrtare për media thuhej se konferenca për shtyp është anuluar dhe pasdite do të flasë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Siç mëson Nova nga një burim i afërt me autoritetet, Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit të flasë dhe se ai do ta bëjë për të. Sipas pohimeve të bashkëbiseduesit të medias serbe, Vuçiq i ka kërcyer Petkoviqit se nuk mund të flasë për atë temë pa dijeninë e tij, me vërejtjen se Petkoviq “nuk ka çfarë të thotë”, transmeton Ballkani.info.

Siç mëson Nova, Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit që të mos flasë me publikun, ndërsa të gjitha informacionet do t’ua njoftojë qytetarëve në mbrëmje.

“Vuçiq ishte i zemëruar me Petkoviqin sepse ai nuk u konsultua me të para se të caktonte konferencën për shtyp. Atë thirrje Petkoviq e bëri vetë, edhe pse është drejtor i Zyrës dhe ishte e logjikshme që ai t’i drejtohej mediave. Kur Vuçiq e pa që Petkoviq do të fliste, u mërzit shumë dhe kërkoi që të anulohej konferenca”, pohon një burim pranë SNS.

Sipas bashkëbiseduesit, Vuçiq me inat e ka pyetur Petkoviqin se “çfarë do të thotë kur nuk ka informacion”.

“Vuçiq ka kërkuar qartë që Petkoviq të mos flasë sepse nuk ka çfarë t’u thotë qytetarëve. Situata ishte dramatike, për këtë foli edhe vetë Vuçiq në konferencë dhe për këtë arsye Petkoviqit iu kërkua të anulojë. Vuçiq madje u tregua i vrazhdë për një moment dhe i tha Petkoviqit, “çka do t’u thuash… Kush të dha leje?”, pohon një burim i Nova-s.

Kujtojmë se pas lajmit se në Kosovë ka pasur të shtëna me armë ku mbeti i vrarë një polic dhe se në afërsi të manastirit të Banjskës po ndodhte një konflikt i armatosur, asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë nuk iu drejtua qytetarëve. Nga ora 10 deri në 11 është bërë njoftimi zyrtar se në ora 14, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, do të flasë për situatën e krizës.

Mirëpo, shumë shpejt ka mbërritur një njoftim i ri që njoftonte se presidenti i Serbisë do të flasë pasdite, ndërsa konferenca e Petkoviqit është anuluar. Nuk u shpjegua pse, vetëm u tregua se presidenti do t’i “zbulonte të gjitha gënjeshtrat e Kurtit”.

Edhe pas konferencës së shumëpritur për media të presidentit Aleksandar Vuçiq, qytetarët nuk morën përgjigje për të gjitha pyetjet se çfarë ndodhi në Banjskë. Vetë Vuçiq tha se nuk mund t’u drejtohej më herët qytetarëve sepse “ata nuk mund të merrnin informacione më të hershme për shkak të shpërqendrimit” dhe deklaroi se kanë mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë gjithë ditës dhe se vendimet e marra do t’i prezantohen qytetarëve në ditët në vijim.

Konflikti i armatosur filloi natën e së shtunës dhe të dielës rreth orës 3 të mëngjesit, kur sulmuesit terrorist serbë vranë një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe plagosën një tjetër.

Sipas informacioneve zyrtare, përveç policit janë vrarë edhe tre serbë, ndërsa disa janë plagosur. Një nga të lënduarit ndodhet në spitalin e Novi Pazarit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kjo është një organizatë kriminale, e cila mbështetet politikisht dhe financiarisht nga Beogradi.

“Procesi i radhës do të na japë më shumë informacion se kush janë, si kanë hyrë në Kosovë dhe kush e ka porositur. Ajo që kemi zbuluar është se ka qenë një formacion terrorist dhe kriminal që e ka planifikuar këtë sulm”, tha Kurti.

Publiku ende është në pritje të përgjigjeve për shumë pyetje, ndër të tjera, ku i kanë marrë armët e rënda sulmuesit, pse sulmuesit kanë bllokuar rrugën në tre të mëngjesit, si janë tërhequr njerëzit nga manastiri, etj.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmuesit kanë pasur armë të rënda dhe se në mesin e materialeve kanë gjetur edhe dokumentet e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Tashmë është publikuar edhe një video në të cilën shihet që Radoiçiq ka qenë pjesëmarrës në sulmin terrorist dhe se raportohet se është i plagosur. /Ballkani.info/