Premierliga

City rikthehet të fitorja, vendosin Alvarez e Haaland

Pas 2 humbjesh radhazi në kampionat, “qytetarët” e Manchester City janë rikthyer te fitorja, teksa në javën e 9 të Premier League kanë mundur “pulëbardhat” e Brighton me rezultatin e ngushtë, 2:1.

Sipari i golave u çel që në minutën e 7’ të sfidës, ku pas një aksioni perfekt të “qytetarëve”, “fantazisti” argjentinas, Julian Alvarez çon topin në rrjetën e portierit Steele, me një goditje të lehtë, për të zhbllokuar shifrat dhe vetëm 12 minuta më vonë, “vikingu” norvegjez, Erling Haaland përfiton nga një gabim në prapavijën e Brighton, për të çuar sërish topin në rrjetën e miqve.

Në pjesën e dytë erdhi dhe reagimi i skuadrës së teknikut De Zerbi, teksa pas një rrëmuje të krijuar në zonën e Manchester City, në minutën e 73’-të të sfidës, përfiton anësori spanjoll, Ansu Fati, i cili me një goditje potente mposht portierin Ortega, duke vendosur përfundimisht rezultatin, 2 me 1.

Falë kësaj fitoreje, “qytetarët” e Manchester City ngjiten përkohësisht në vendin e parë të renditjes, me 21 pikë, 1 më shumë se Liverpool, Arsenal e Tottenham, që e “ndjekin” nga pas, ndërsa “pulëbardhat” e Brighton mbeten në vendin e 7 të renditjes, me 16 pikë.