City – Real, gjigantët e kërkojnë sonte rrugën drejt Stambollit

Manchester City dhe Real Madridi do ta kërkojnë sonte biletën e dytë që çon në finale të Ligës së Kampionëve pasi atë të parë e preu mbrëmë Interi.

Skuadrat luajtën baras 1:1 në duelin e parë të zhvilluar javën e kaluar në “Santiago Bernabeu”.

Kevin de Bruyne e nivelizoi rezultatin pasi paraprakisht kishte realizuar Vinicius Junior, shkruan “Gazeta Express”.

E tash, “Citizens” do të bëjnë çmos për ta siguruar finalen e dytë të Championsit në histori të tyre.

Erling Haaland është i vendosur për ta marrë në dorë skuadrën dhe për ta çuar drejt Stambollit pasi në lojën e parë ishte një hije pasi u mbulua për mrekulli nga Antonio Rudiger.

Pep Guardiola synon ta dërgojë në “Etihad Stadium” trofeun e Championsit pas dominimit absolut në vitet e fundit në Premierligë.

Nga ana tjetër, “Los Blancos” do të mundohen ta shfrytëzojnë përvojën e tyre për të shkuar në finale për herë të dytë radhazi, shkruan “Gazeta Express”.

Të drejtuar nga Vinicius dhe Benzema, ekipi i Carlo Ancelottit shkon me optimizëm në Angli ndonëse kundërshtari shihet si favorit për të shkuar në finale.

Ndeshja mes Manchester Cityt dhe Real Madridit do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00.