City në gjysmëfinale me Realin pasi eliminoi Bayernin

Manchester City i Pep Guardiolës do të luajë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. City të mërkurën mbrëma barazoi në udhëtim te Bayern Munichu, dhe nuk e lëshoi epërsinë e krijuar nga ndeshja e parë të cilën e fitoi 3:0.

Bayerni e City barazuan 1:1 në ndeshjen kthyese të çerekfinales, që u zhvillua në “Allianz Arena”. Erling Haaland e pati mundësinë të shënonte nga penalltia në pjesën e parë, por dështoi përballë portierit Yann Sommer, duke gjuajtur lartë mbi portë.

Ishte pikërisht Haaland që nuk gaboi në minutën e 57-të pas një kundërsulmi të shpejtë.

Ai e kaloi Dayot Upamecanon dhe e mposhti Sommerin për golin e 12-të të edicionit në “Champions”. Joshua Kimmich në minutën e 83-të shënoi nga penalltia për barazimin e rezultatit, që ishte përfundimtar në këtë ballafaqim. City e Reali takohen në gjysmëfinalen e parë më 9 maj. Ndeshja kthyese e gjysmëfinales luhet më 16 maj. Finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve është vendosur të luhet në stadiumin “Ataturk Olympic Stadium” në Stamboll.