Manchester City e ka mposhtur Arsenalin në ndeshjen shumë të fortë të zhvilluar të dielën, e që mund ta vendos edhe titullin në elitën angleze.
Me fitoren në xhiron e 33-të të Premier Leagues angleze, City i është afruar Arsenalit në tri pikë. Por, e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Crystal Palaces.
Nëse e mposht edhe Crystal Palacen në ndeshjen e mbetur, e cila ende nuk është vendosur se kur do të luhet, City do të barazohej me pikë me Arsenalin në krye të tabelës. Më pas do të vendoste goldallimi.
Rayan Cherki shënoi për epërsinë 1:0 të skuadrës së udhëhequr nga Pep Guardiola.
Arsenali nuk u dorëzua dhe shënoi 107 sekonda më pas. Sulmuesi Kai Havertz përfitoi nga një gabim i portierit italian, Gianluigi Donnarumma.
Në pjesën e dytë, Arsenali pati disa mundësi të mira shënimi. Por ishte City që shënoi gol dhe iu gëzua fitores së madhe.
Erling Haaland në minutën e 65-të shënoi me gjuajtje të saktë e të fuqishme nga zona për 2:1.
Arsenali, që është në kërkim të titullit të parë në elitën angleze pas 22 vjetësh, është lider me 70 pikë. City me një ndeshje më pak të luajtur i ka 67 pikë në vendin e dytë.
City së fundmi e fitoi Kupën e Ligës me fitore pikërisht ndaj Arsenalit. Ndeshja e parë në ligë, në muajin shtator, u mbyll 1:1.







