City i shënon pesë gola Southamptonit

Manchester City i është kthyer fitores. Të udhëhequrit e Pep Guardiolës të mërkurën në mbrëmje triumfuan kundër Southamptonit me rezultatin 5:2 dhe shkojnë me 14 pikë në krye të tabelës më shumë se përcjellësi Manchester United.

Ishte ndeshje e xhiros së 33-t në Premier Leaguen e Anglisë. Kevin de Bruyne dhe Riyad Mahrez shënuan nga dy gola në këtë ballafaqim, që ishte kundërpërgjigje e disfatës të cilën e pësuan në derbi të dielën. Disfata e fundjavës që lamë pas ishte ndalje e serisë prej 21 fitoreve të njëpasnjëshme. Golin tjetër për skuadrën e Cityt e shënoi Ilkay Gundogan në fundin e pjesës së parë. Për vizitorët realizuan James Ward-Prowse dhe Che Adams. Me trepikëshin e marrë, City ka 68 pikë, ndërsa Unitedi në vendin e dytë me një ndeshje më pak ka 54 pikë.