City fiton me vështirësi në udhëtim te Leicesteri VIDEO

Manchester City ka marr një fitoren minimale 1-0 në udhëtim te Leicester City në takimin e vlefshëm për javën e 27-të në Ligën Premier.

Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilët arritën të krijojnë edhe raste të mira, por pa gjetur golin.

Rasti më i mirë në këtë pjesë i takoi vendasve, të cilët në minutën e nëntë goditën shtyllën me anë të Jamie Vardyt, ndërsa Sergio Aguero (45’) gjeti golin, por iu anulua për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, ekipi i Pep Guardiolas arriti të rikthehet duke krijuar më shumë dhe duke gjetur edhe golin e fitores.

City ishte afër golit në minutën e 62-të, por Peter Schiechel arriti t’ia pres penalltinë Agueros duke mbajtur portën e paprekur.

Megjithatë, mysafirët gjetën golin në minutën e 80-të me anë të Gabriel Jesus, i cili shënoi për 1-0 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e dytë me 57 pikë, ndërsa Leicesteri i treti me 50 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Qytetarët udhëtojnë te Manchester Unitedi, ndërsa Dhelprat udhëtojnë te Norwichi.