Vlora Çitaku

Çitaku, Qeverisë: Mos i humbni aleatët – punoni mbarë, nëse jo, shkoni në shtëpi

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ndërsa ka komentuar rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës që ndaloi dinarin në transaksione financiare dhe përdorimin e tij në shit-blerje dhe presionin e komunitetit ndërkombëtar që u shtua pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, ka apeluar që Qeveria e Kosovës të mos i humbas aleatët, e të punojë mbarë në këtë drejtim, nëse jo “të shkoj në shtëpi”.

“Gjëja më e mirë që kish mundur ta bëjë qeveria lidhur me vendimin e BQK për përdorimin e valutave të huaja kish me qenë të qëndrojë e të mos përfshihet”, ka vlerësuar Çitaku.

Çështja e dinarit, sipas Çitakut është punë e BQK-së dhe se vendimi i saj duhet t’i ishte e paraprirë me një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës.

“Çka po trumpetoni tash, pashë zotin? Ky vend e ky popull e ka dëbuar ushtrinë e policinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë, e ju flisni për dinarin e disa pensionistëve. Njëjtë si me targat, që nuk solli asnjë të mirë, por e solli draftin e statutit për asociacionin që e tejkaloi marrëveshjen e 2013 në Bruksel. Çka do të sillni tani me dinarin?”, ka pyetur ajo.

Çështje më e rëndësishme e më imediate për qeverinë në këtë fazë, konsideron ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA-të, është përmirësimi i jetës së qytetarëve, të përmirësojë ekonominë, të hapen vende të punës, të përmirësojë arsimin e shëndetësinë, të rregullojë rrugët e infrastrukturën në përgjithësi.

“E jo të nis beteja që janë fituar moti. E me amatorizëm të na sjell sanksione nga aleatët. Për më tepër, problemi që e kemi si vend nuk është me serbët e Kosovës. Por me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës – që u fut në fuqi këtë të enjte – për ta ndaluar dinarin në transaksione financiare dhe përdorim të kësaj valute në shit-blerje.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, para gazetarëve, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dua të përsërisë qëndrimin e SHBA-ve: kemi shqetësime serioze dhe rezerva për zbatimin e këtij vendimi. Mund ta them lirisht se jemi kundër këtij vendimi”, deklaroi Hovenier.

Ai shtoi se për shkak të shqetësimeve që kanë për eskalim të tensioneve, kjo çështje fillimisht duhet të diskutohet në Bruksel.

“Kemi përshtypjen se nuk janë në dijeni të plotë për impaktin që do ta ketë ky vendim për qytetarët, sidomos për ata që marrin ndihma nga Serbia këtu në Kosovë. Mendojmë që kjo cështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm, por gjithashtu diskutim në dialogun e Brukselit, jemi të shqetësuar se mund t’i ekskalojë tensionet etnike”, pohoi Hovenier.

VIDEO BONUS: Aksioni kundër strukturave serbe, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog