Këshilli i Sigurimit është mbledhur sot në New York.

Pika e dytë e diskutimit ka qenë Kosova, ku ka raportuar edhe shefi i misionit të UNMIK-ut.

Ai ka cekur se Kosova dhe Serbia kanë ende punë për të bërë, dhe ka theksuar se ka progres të arritur deri më tani.

Në mbledhjen e Këshillit, Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq, ka përmendur edhe vizitën e Presidentit Thaçi dhe gjithashtu ka folur për humbjet e shtetit serb që nga lufta e parë.

Këto statistika, si duket kanë prekur Ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun, e cila u kundërpërgjigj duke thënë se këto shtete kanë qenë protagoniste të Luftës së Parë Botërore.

“Disa nga këto shtete të Ballkanit Perëndimor kanë qenë protagoniste të Luftës së Parë Botërore, përderisa shteti im ka qenë fushëbetejë mes ideve të ndryshme. Kosova ka pasur luftën e fundit në shtetet Evropiane, ku kanë humbur jetë shumë të pafajshëm, ku unë dhe një milion kosovarë të tjerë, kemi qenë të detyruar ta lëshojmë vendin” ka thënë Çitaku, përcjell Ballkani.info.

Ambasadorja Çitaku ka folur edhe për vizitën e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Kosovë, duke kritikuar deklaratat e tij.

“Vizita e fundit e Presidentit Serb, Vuçiq, në vend që të shfrytëzohet për të përcjellur mesazhe pozitive dhe të paqes, kishte mesazhe provokuese dhe përkrahëse të Sllobodan Millosheviqit” ka përfunduar Çitaku. /Ballkani.info/