Cillesen zbulon se dyshja e Ajaxit, De Jong dhe De Ligt dëshirojnë të luajnë për Barcën

Portieri i Barcelonës, Jasper Cillesen ka folur me Matthijs De Ligt në lidhje me klubin katalanas teksa mendon se ai dhe Frenkie De Jong do të përshtateshin te kampionët e Spanjës.

De Jong që është vetëm 21 vjeçar, ka impresionuar në rradhët e “Harkëtarëve” derisa ka ngjallur interesimin e Barcelonës, Manchester Cityt dhe Tottenhamit.

Pavarësisht se është dy vite më i ri se De Jong, futbollisti tjetër i Ajaxit De Ligt është konfirmuar në rradhët e nënkampionëve të Eredivisie por edhe te kombëtarja holandeze ku ka formuar një dyshe në qendër të mbrojtjes së bashku me yllin e Liverpoolit, Virgil Van Dijk.

Cillesen zbuloi se që të dy do të ishin të kënaqur me një kalim në “Camp Nou”, ndërsa tha se ka biseduar me De Ligt.

“Secili që grumbullohet në kombëtaren tonë dëshiron të luajë për Barcelonën sepse është një prej klubeve më të mira në botë. Unë nuk kam luajtur me De Jong te Ajaxi, por kam pasur rastin të luajë për disa javë me De Ligt gjatë para sezonës në vitin 2016. Ai është një lojtar me shumë kualitete pavarësisht se është shumë i ri, teksa ka forcë fizike dhe mentale. Mjafton t’i shohësh paraqitjet e tij ndaj Gjermanisë në Nations League dhe kundër Bayernit në Champions”, tha Cillesen.

Portieri 29 vjeçar insistoi se gjithçka varet nga drejtori sportiv i Ajaxit, Marc Overmars nëse do t’i lejojë të largohen dyshen, ndërsa tregoi se nuk e ka ndërmend të largohet nga “Blaugranta” pavarësisht se nuk është startues.