Cilësia në arsim jashtë standardeve, ekspertët: S’mjaftojnë vetëm buxheti, duhen inspektorë për monitorim

Buxheti i këtij viti për arsim është 12 përqind më i lartë sesa i vitit paraprak, por nga njohësit e fushës së arsimit kjo rritje po konsiderohet e pamjaftueshme për ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim.

Ata thonë se mësimdhënësit e Kosovës duhet t’i kenë inspektorët profesional të cilët do t’i vizitonin në orë dhe do të vlerësonin punën e tyre në mënyrë profesionale.

Për cilësinë e dobët sipas tyre ka ndikuar politizimi i skajshëm i sistemit të arsimit. Madje sipas tyre përveç rritjes së buxhetit duhet që edhe të inspektohen mësimdhënësit.

Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka thënë se për 21 vjet në arsim janë bërë eksperimente duke filluar me një projekt dhe duke e ndërprerë në gjysmë për të vazhduar me një tjetër.

“Defekti tek ne është në sistemin arsimor pasi për 21 vjet e shumë janë bërë eksperimente, është filluar me diçka të re dhe është stopuar në mes, më pas është filluar me diçka tjetër. Kështu, mësimdhënësit kanë mbetur në mëdyshje, ngase janë përgatitur sa kanë mundur për një përvojë të re, është hedhur poshtë ajo, është filluar me diçka tjetër. Nga paslufta e këndej mësimdhënësit janë stërlodhur me trajnime të cilat i kanë organizuar organizata të ndryshme më shumë për të marr buxhet nga BE-ja dhe të tjerët se sa që janë kujdesur që mësimdhënësit të pajisen me dije që ju duhet për procesin mësimor”.

Ndërsa Rinor Qehaja, drejtor në Institutin EdGuard, tha se për reforma në arsim përtej buxhetit duhet që të funksionlizohen mekanizmat e llogaridhënës dhe të përgjegjësisë.

Krejt kjo ngase sipas tij, tërë ai buxhet nuk mund të kishte ndikim në rritjen e cilësisë në arsim.

Ai shton se ka nevojë për rifreskim të metodologjisë së mësimdhënies, të eliminohet mësimi mekanik etj.

“Për reforma në arsim përtej buxhetit ka kuptim vetëm instalimi i mekanizmave llogaridhënës dhe të përgjegjësisë përgjatë gjitha niveleve përfshirë këtu vetë institucionin e MAShTI-të e deri tek institucioni i shkollës. Në të kundërtën i tërë ai buxhet nuk mund të marr trajtë në përfitim të një cilësie më të rritur të arsimit në mungesë të llogaridhënies. Duhet të instalojmë mekanizma të mirëfilltë që na garantojnë këtë të fundit në mënyrë që përfitimi të jetë drejtpërdrejtë për nxënësin dhe studentin pikë së pari”.

“Ne jemi të vetishëm dhe këtë e kanë të qartë edhe vetë komuniteti i mësimdhënësve që ka nevojë për një rifreskim të metodologjive të mësimdhënies, pedagogjia në vendin tonë fatkeqësisht është e memorizuar në mësim vetëm, dhe të mësuarit mekanik dhe kjo duhet të tejkalohet, të investohet më shumë në ngritje të kompetencës dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, për zhvillim dhe zbatim të metodologjive të përditësuara dhe më bashkëkohorë të mësimdhënies dhe përkrahje me mjete didaktike dhe infrastrukturore në mënyrë që këto metodologji të gjejnë zbatim”.

Qehaja faktorë kyç në cilësinë e dobët në arsim e ka konsideruar dështimin në zbatim të formave korikulare.

“Ka shumë faktorë që ndikojnë në cilësi jo të mirë të arsimit, mirëpo kyçe është një dështim në zbatim të formave korikulare, një dështim në zbatim të metodologjive të mësimdhënies të bazuar me kompetencë, tekste shkollore jo të mira dhe mbi të gjitha mungesa e një sistemi të mirëfilltë të llogaridhënies”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, tha se ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë.

Por sipas tij, buxheti nuk është faktori i vetëm, duke cilësuar se aplikimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është një prej kushteve që do të ndikonte ndjeshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit.

“Ngrija e buxhetit për arsim është një prej parakushteve shumë të rëndësishme në ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit mirëpo nuk është faktori i vetëm. Ndërhyrja duhet të jetë multidimensionale, e përqendruar në përgatitjen, motivimin , ngritjen e shkathtësive të mësimdhënësve dhe stafit tjetër të involvuar në sistemin e arsimit, pastaj vazhdohet me planë programe që janë në përputhshmëri me kohën, por përgjithësisht ndërhyrja duhet të jetë në infrastrukturë, pastaj të punohet në atë që shkolla të bëhet një mjedis i dashur për nxënësit”.

“Aplikimi i metodave inovative ku përfshihet aplikimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është një prej kushteve që do të ndikonte ndjeshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit. Rinia jonë janë shumë të përgatitur dhe e duan aplikimin e teknologjisë por ajo diskrepanca që ndodh mes aplikimit të teknologjisë tek të rinjtë dhe aplikimin e saj në fushë të arsimit është mjaft e madhe. Kjo teknologji shfrytëzohet për qëllime argëtuese e shumë pak për qëllime edukative”./eo/