Christopher Hill: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është më i rëndësishëm se nënshkrimi

Marrëveshja e arritur nga Serbia dhe Kosova në Ohër është ligjërisht e detyrueshme dhe pa nënshkrim, konfirmoi sot për FoNet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, dhe theksoi se një nga elementët kyç të marrëveshjes është se detyrimet e të dyja palëve janë pjesë e procesit të integrimit evropian.

Hill theksoi se është bërë e qartë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjent dhe i rëndësishëm, duke kujtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vitesh nga Kosova, Serbia dhe BE-ja, transmeton Demokracia.com.

“Nga këndvështrimi i publikut serb, është shumë e rëndësishme që organizatat ndërkombëtare, siç është BE-ja, të kenë një marrëveshje të cilës duhet t’i përmbahen dhe të sigurojnë zbatimin e saj”, tha Hill dhe shtoi se Asociacioni është i rëndësishme që t’i sigurojë komunitetit serb në Kosovë siguri dhe të ardhme.

“Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, parashikoi Hill.

I pyetur për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se do ta zbatojë aneksin e propozimit evropian deri në vija të kuqe, Hill është përgjigjur se Vuçiq ka thënë qartë se çfarë mund të pranojë dhe çfarë jo.

“Në vend që të flasim për vijat e kuqe, duhet të fokusohemi në faktin se ai ishte shumë i qartë me BE-në se çfarë mund të bëjë, si dhe kur, gjë që mendoj se është mirë. Mendoj se duhet bërë edhe nga pala kosovare”, tha Hill.