Andreas Christensen nuk synon të largohet nga Chelsea në janar pavarësisht se nuk është startues në formacionin e Maurizio Sarrit.

Rudiger dhe David Luiz janë preferuar nga trajneri italian që praktikon mbrojtjen me katër, ndërsa mbrojtësi i kombëtares së Danimarkës është i vendosur të luftojë për vendin e tij te londinezët teksa është paraqitur vetëm dy herë në EFL Cup dhe Europa League.

I pyetur se nëse mendon të largohet nga “Stamford Bridge”, Christensen tregoi se përkundër që është zgjedhje e vështirë ai do të qëndrojë te Chelsea.

“Gjërat janë më ndryshe nga sezoni i kaluar ku luajta shumë ndeshje kurse tash më nuk është ashtu. Gjithmonë është e vështirë për futbollistët të kalojnë nëpër këto situata, por do të shohim se çfarë do të ndodh. Gjithkush dëshiron të fitojë dhe nëse e pyesni dikë a je i lumtur teksa nuk luan rregullisht ata do të thonë jo”, u shpreh Christensen.

Ish lojtari Borussia Monchengladbachut shtoi se do të japë maksimumin e tij çdo ditë në stërvitje për të bindur Sarrin që t’i japë një mundësi në formacionin titullar për të dëshmuar veten.