Chelsea u ofron tifozëve racistë udhëtim edukativ në Auschwitz

Chelsea planifikon t’i dërgojë tifozët racistë në kampin famëkeq nazist të përqendrimit Auschwitz, në vend se t’ua ndalojë atyre hyrjen në stadium.

Pronari hebre i Chelseat, Roman Abramovich, është prapa kësaj iniciative që ka për synim të luftojë antisemitizmin në klubin londinez.

Chelsea dëshiron që tifozët që kapen me gjeste raciste apo fyerje raciste të kenë mundësinë të shkojnë në kampe edukimi në kampin e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni, në vend se t’u ndalohet atyre futja në stadium për ndeshjet tjera të klubit të Premier Leagues së Anglisë. Në kampin famëkeq besohet se janë vrarë 1.1 milionë hebrenj dhe të tjerë që ishin mbledhur kudo nëpër Evropë.

“Nëse vetëm i dënon njerëzit, atëherë kurrë nuk do të kesh mundësi të ndryshosh sjelljen e tyre”, ka deklaruar kryetari i Chelseat, Bruce Buck.

“Me këtë iniciativë u ofrohet atyre mundësia të dinë se çfarë kanë bërë dhe të sillen më mirë në të ardhmen. Në të kaluarën ne i largonim nga tifozëria dhe ua ndalonim hyrjen në stadium deri në tre vjet. Tash u themi ‘keni bërë diçka gabim. Ke një opsion. Mund të ndalojmë hyrjen në stadium apo mund të kalosh kohë me zyrtarët tanë në vizitë në Auschwitz dhe të kuptosh se çfarë ke bërë gabim'”.

Chelsea publikisht ka kritikuar tifozët e vet për thirrje antisemitike ndaj rivalit Tottenhamit në shtator të vitit 2017.

Një delegacion i Chelseat shkoi në marshin vjetor në Auschwitz në prill, kurse në qershor u aranzhua një udhëtim për 150 tifozë e zyrtarë të klubit në Poloni te kampi më famëkeq. Po ashtu të mbijetuarit e Holokaustit kanë mbajtur fjalime te klubi londinez.