Chelsea s’ka të ndaluar – triumfon ndaj Watfordit dhe ngjitet në pozitën e tretë

Chelsea arriti t’i kthehet ecurisë së fitoreve pas disfatës kundër Manchester Unitedit në mesjavë, duke siguruar fitore me rezultat 2:1 kundër Watfordit, në kuadër të xhiros së 11-të të këtij sezoni të Premierligës.

Chelsea e dominoi ndeshjen e zhvilluar kundër Watfordit në Vicarage Road, si posedim të topit, ashtu edhe me numrin e rasteve të mira të krijuara për të shënuar gol.

Ky dominim u përkthye edhe në rezultatin e ndeshjes, pasi që skuadra e Frank Lampardit arriti t’i marrë tri pikët e ndeshjes dhe të ngrihet në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës, të paktën derisa ta zhvillojë ndeshjen e vet Leicesteri këtë javë.

Të kaltrit e Londrës kaluan në epërsi në minutën e pestë të ndeshjes përmes Tammy Abrahamit, ndërsa e dyfishuan epërsinë përmes Christian Pulisicit në minutën e 55-të.

Chelsea bënte presion për ta gjetur edhe një gol gjatë shumicës së ndeshjes, mirëpo rreth minutës së 80-të, djemtë e Frank Lampardit u dukën të liruar dhe atëherë erdhi edhe goli i Watfordit, i shënuar nga pika e penalltisë nga Gerard Deulofeu.

Afër minutave të fundit të ndeshjes, Chelsea e vuajti presionin nga kundërshtarët, mirëpo arritën të rezistojnë dhe t’i marrin tri pikët e kësaj ndeshjeje.

Tani, skuadra e Chelsea do të bëhet gati për ndeshjen kthyese kundër Ajaxit në Stamford Bridge, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

loading…